Era e fortë krijon probleme në Vlorë, dy pemë rrëzohen dhe bllokojnë rrugët

Era e fortë bregdetare që ka përfshirë qytetin e Vlorës gjatë kësaj të premteje ka shkaktuar probleme në disa zona urbane, duke rrëzuar pemë në akse të ndryshme rrugore. Rastet janë raportuar në aksin Transballkanik dhe në zonën e Lungomares, ku qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve është vështirësuar përkohësisht.

Një pemë rrapi është rrëzuar në vendkalimin e këmbësorëve në lagjen “Kushtrimi”, duke bllokuar trotuarin dhe duke krijuar rrezik për kalimtarët. Banorët e zonës kanë njoftuar menjëherë shërbimet emergjente, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse për të neutralizuar situatën.

Efektivët e zjarrfikëses po punojnë për prerjen e trungut dhe largimin e degëve nga rruga, me qëllim rikthimin e normalitetit dhe hapjen e kalimit për qytetarët. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, pasi era e fortë pritet të vijojë edhe në orët në vijim.

 

The post Era e fortë krijon probleme në Vlorë, dy pemë rrëzohen dhe bllokojnë rrugët appeared first on GIJOTINA.