Miqësia me Kushner mbi ligjin, institucionet që kapitullojnë në Zvërnec

Një nga shqetësimet kryesore mbi investimin që solli në Shqipëri Ivanka Trump dhe Jared Kushner, përkatësisht vajza dhe dhëndri i presidentit të SHBA Donald Trump, ishte ai se politikanët shqiptarë do t’i ofronin atyre lehtësira dhe favore në kurriz të interesit publik, në përpjekje për të fituar simpatinë e familjarëve të presidentit amerikan dhe për të forcuar marrëdhëniet personale me ta.

Si shembull të besëthyerjes ndaj interesit të qytetarëve shqiptarë është marrëveshja katastrofike mes shtetit dhe kompanisë private në Durrës Marina. Investitorit Mohamed Alabar që premtoi të bënte 2 miliard dollarë investime në Durrës, qeveria i fali tokën në bregdet, i fali taksat e ndërtimit dhe i garantoi prioritet në procedurat shtetërore, shoqëruar me një faturë të majme sërish në kurriz të qytetarëve që do të paguajnë ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, pasi hapësira e portit të vjetër iu fal Alabbarit.

Për t’i shuar këto zëra, Rama ka premtuar se në negociatat me dhëndrin e Trump “ne do ta shqyrtojmë (ofertën) si përfaqësuesit e denjë të popullit shqiptar që nuk negociojnë interesa personale, por negociojnë interesat e publikut në çdo hap, siç kemi bërë me portin e Durrësit, ku publiku sot është pjesë e atij investimi përmes aksioneve të shtetit shqiptar”. (19 Mars, deklaratë nga selia e PS)

Por a mund të besohet pozicioni i Edi Ramës si mbrojtës i interesit publik, ndërkohë që ai është kaq i interesuar për ta ushqyer marrëdhënien personale që ka ndërtuar me Jared Kushner? A mund të jetë ai një avokat i taksapaguesit shqiptar, kur për një darkë me Ivanka Trump është i gatshëm të braktisë edhe samitet ndërkombëtare ku është i ftuar si kryeministër i Shqipërisë?

Sinjalet janë se Rama do ta shfrytëzojë shansin e investimeve amerikane në Sazan dhe në Zvërnec për interesin personal kanë qenë aty, por një investigim i gazetarit Vladimir Karaj në Reporter.al e jep me fakte kapitullimin e shtetit shqiptar përballë interesit privat.

Disa foto të publikuara nga organizata mjedisore PPNEA tregojnë se në Zvërnec tashmë ka nisur puna për ndërtimin e kantierit që i paraprin ndërtimit të vilave dhe resorteve. Punëtorët kanë nisur të lëvizin me kamiona, eskavatorë dhe mjetet e tjera për rrafshimin e pishave në një zonë që jo shumë kohë më parë ishte rezervat dhe sot është ende zonë e mbrojtur.

Fotot më lart janë publikuar nga PPNEA, organizata mjedisore që denoncon ndërhyrjen e kompanive të ndërtimit, që kanë nisur nga puna ende pa përfunduar procedurat e marrjes së një leje përfundimtare.

Kompania private që do të ndërtojë në Zvërnec është identifikuar si “Zvërnec South Adriatic Development”, një kompani offshore, pjesë e të cilës sipas BIRN janë edhe Jared Kushner, Ivanka Trump dhe dy vëllezër miliarderë nga Siria që aktualisht bashkëpunojnë në investimin në Shqipëri.

Por ajo që vihet re është se kompania nuk ka pritur të miratohet leja në Këshilli Kombëtar i Territorit dhe i Ujit siç e kërkon ligji, por është mjaftuar me një leje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit për të nisur kantierin.

Çfarë e bën ulëritëse situatën është se i gjithë zinxhiri i institucioneve përgjegjëse, që është pyetur nga Reporter.al nuk arrin të japë një përgjigje për kantierin, por shmang përgjegjësine duke larguar nga vetja pataten të nxehtë.

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini ka ngritur supet për lejen që mungon për ndërtimin në fjalë: “Nuk e di, nuk jam në dijeni, duhet të pyesni AZHT dhe KKT për këtë, por ata po bëjnë rrethim kantieri aty dhe kanë paraqitur dokument nga AZHT,” ka thënë ajo.

Ndërkohë Afrim Qëndro, drejtori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, IKMT e ka shmangur përgjegjësinë, duke thënë se nuk kishte informacion për ngritjen e një kantieri në zonë. “Do çoj inspektorët nesër në mëngjes ta verifikoj këtë që ju ka thënë kryetarja e bashkisë,” deklaroi ai.

Projektet në Shqipëri dhe Serbi/ Kushner u përgjigjet kritikave: Kam zbatuar ligjin

Kuptohet se në sfondin e reagimeve prej guhakësh të drejtuesve të institucioneve është miqësia mes kryeministrit Edi Rama dhe çiftit Kushner-Trump, një marrëdhënie që shkon mbi gjithçka në sytë e administratës shqiptare.

Ndërkohë qytetarët shqiptarë janë ende të painformuar për projektin, për marrëdhenien mes shtetit dhe kompanisë private në këtë ndërmarrje, për marrëveshjen mes asaj që do të japë falas shteti shqiptar dhe detyrimeve apo lehtësirave që do të përfitojë kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.

Në vend se të bëjë transparencë, kryeministri Edi Rama ka bërë marketingun e projektit. Ai ka premtuar se Sazani do “të bëhet xhevahiri më i ndritshëm i kurorës së turizmit Mesdhetar”, apo që do të sjellë “turizmin e luksit” dhe se nga investimi do të kemi “fitime të jashtëzakonshme”. Ndërkohë në prapaskenë marrëveshja me kompanitë private është mbyllur.

Demokratët në SHBA kërkojnë hetimin e Kushner për marrëdhëniet me Ramën dhe Vuçiçin

Mediat ndërkombëtare kanë ngritur pikëpyetje të forta mbi ndikimin që po përdor Kushner për projekte të ngjashme në botë, duke shfrytëzuar faktin që vjehrri i tij është presidenti i Shteteve të Bashkuara. Një projekt i tij në Beograd u anulua pas kërkesave për hetime nga senatorët demokratë dhe akuzave të vazhdueshme nga mediat amerikane për trafikun e influencave./Lapsi.al

The post Miqësia me Kushner mbi ligjin, institucionet që kapitullojnë në Zvërnec appeared first on Lapsi.al.