Operacioni ndaj Call Center-ave në Tiranë, Policia nxjerr pamjet dhe jep detaje

Policia e Shtetit ka dalë sot me një deklaratë zyrtare për operacionin e zhvilluar dje ndaj Call center-ave që mashtronin qytetarët e huaj, me dëm financiar miliona euro.

Hetimet zgjatën 2 vite dhe u shtrinë në Austri, bashkë me Prokurorinë.

Gjykata e Tiranës vendosi lejimin e kontrollit të ambienteve ku ushtronin aktivitetin subjektet, si dhe kontrollin e banesave të 9 shtetasve të dyshuar.

“Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me autoritetet austriake dhe me mbështetjen e Europolit, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Ghost Call”, në kuadër të goditjes së veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, thuhet në njoftim.

Policia dha edhe detaje nga sekuestrimet e kryera, kryesisht shuma të mëdha valute dhe pajisje me të cilat kryhej mashtrimi i të huajve.

“Gjatë ushtrimit të kontrolleve, u gjetën dhe u sekuestruan vlera të konsiderueshme monetare, në total 891,735 euro, si dhe një numër i madh pajisjesh elektronike, konkretisht: 443 kompjuterë; 238 telefona celularë; 6 laptopë; si dhe pajisje të tjera si HDD, DVR etj., që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal”, sqarohet në njoftim.

Policia njoftoi se në flagrancë ishin arrestuar 5 të dyshuarit; Kristjan Buda, Benard Biba, Kleidi Dyrma, Ema Taip dhe Eno Hana.

Një hetim 2-vjeçar i Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me autoritetet austriake, goditën 3 call center në kryeqytet dje, që kanë mashtruar me mijëra qytetarë evropianë të cilët kanë humbur deri në 50 milionë euro.

Në kërkim u shpallën 2 persona, ndërsa 1 masë detyrim paraqitjeje nuk është ekzekutuar. Policia gjeti në zyrat e call-center 80 operatorë, nga të cilët 5 janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 1 është shpallur në kërkim.

The post Operacioni ndaj Call Center-ave në Tiranë, Policia nxjerr pamjet dhe jep detaje appeared first on Lapsi.al.