Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë, pasi u kap në flagrancë duke transportuar mallra të dyshuara kontrabandë.
Sipas policisë, 26-vjeçari me inicialet R.K., banues në Korçë, u ndalua në aksin rrugor “Elbasan-Tiranë”, teksa lëvizte me furgon. Gjatë kontrollit u zbuluan 19 thasë me veshje të markave të ndryshme, të dyshuara si imitime dhe pa dokumentacionin shoqërues.
Sipas policisë, vlera e mallrave të sekuestruara arrin rreth shifrën 45 mijë euro.
Njoftimi i policisë:
Transportonte me furgon, veshje të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 45 000 euro, kapet në flagrancë në aksin rrugor “Elbasan-Tiranë” dhe arrestohet 26-vjeçari.
Sekuestrohen veshjet dhe furgoni. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wrong way”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi R. K., 26 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Elbasan-Tiranë”, duke transportuar me furgon, 19 paketime (thasë) me veshje të imitimeve të markave të ndryshme, pa dokumentacion shoqërues.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
The post Po transportonte 19 thasë me veshje kontrabandë, arrestohet 26-vjeçari në Tiranë appeared first on GIJOTINA.