PS rrëzon kërkesën e PD për procedurë të përshpejtuar mbi projektligjin për uljen e çmimit të naftës

Mazhoranca në Kuvend ka rrëzuar me 77 vota kundër kërkesën e Partisë Demokratike për të nisur procedurën e përshpejtuar lidhur me projektligjin e propozuar për naftën.

Ky projektligj synonte futjen e një mekanizmi të ri për kontrollin e çmimit të naftës.

Deputeti demokrat Eno Bozdo argumentoi se mekanizmi i propozuar nga PD do të siguronte transparencë dhe ulje automatike të çmimit, duke mos lejuar që qeveria të përfitonte nga krizat.

Ai theksoi se bordi i transparencës aktualisht vetëm “vrojton rritjen” e çmimit, ndërsa ligji i propozuar do të mbronte qytetarët, fermerët dhe ekonominë familjare.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, kundërshtoi kërkesën duke theksuar se projektligji nuk ishte në rendin e ditës dhe se kalendari i punimeve ishte miratuar me konsensus për ta shqyrtuar më 30 të muajit.

The post PS rrëzon kërkesën e PD për procedurë të përshpejtuar mbi projektligjin për uljen e çmimit të naftës appeared first on GIJOTINA.