Prokuroria e Posaçme, AMP dhe Policia e Shtetit kanë realizuar një tjetër operacion të gjerë ku janë goditur disa grupe kriminale të përfshira në trafikun e drogës, ku janë ekzekutuar rreth 10 masa sigurie të firmosura nga GJKKO, pas kërkesës së SPAK. Mësohet se janë kryer kontrolle në disa qytete të vendit: Tiranë, Kukës, Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
4 nga masat e sigurisë janë për oficerë të policisë. Tre efektivë policie janë arrestuar, ndërkohë që një tjetër është shpallur në kërkim. Një prej të arrestuarve është Shkëlzen Ruska, shef i krimeve në Himarë, i cili akuzohet për kultivim kanabisi, pjesëmarrje në grup kriminal të strukturuar, shpërdorim detyre dhe veprime të tjera të kryera nga organizata kriminale.
Po ashtu, është arrestuar edhe Ervis Alisinanaj, shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes, i cili përballet me akuzat e të njëjtave vepra penale, si dhe për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të tjerë publikë.
Shefi i Komisariatit të Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dervishi, është shpallur në kërkim dhe akuzohet për “trafikim narkotikësh”, “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Shpërdorim detyre”. Erdit Hazizaj është i katërti person i arrestuar, i cili ishte larguar nga policia në vitin 2022. Ai akuzohet për trafik droge, kultivim bimësh narkotike, dhe përfshirje në grupe kriminale.
The post SPAK dhe policia zhvillojnë operacion në disa qytete, GJKKO lëshon 10 masa sigurie appeared first on Lapsi.al.