Kupa e Shqipërisë ka njohur tashmë përplasjet e fundit, nëpërmjet të cilave katër skuadrat e mbetura në garë do të synojnë trofeun e lakimuar. Në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” u zhvillua shorti për fazën gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë për edicionin 2025-2026, një moment i rëndësishëm që përcakton rrugëtimin drejt finales së madhe të këtij kompeticioni.
Goglat kanë rezervuar përballje me mëri të vjetra, me mundësi revanshi e rinovim “armiqësish”. Dinamo ka gjetur kundërshtar Vllazninë, me të cilën ka një rivalitet të ndezur fort mes ironish e thumbimesh, që në fazën e parë të kampionatit. Sidoqoftë, tani Daja e Martini do t’i duhet të gjejnë zgjidhje për dy 90 minutësha, ose edhe më shumë, që vetëm të zakonshëm nuk janë.
Egnatia në anën tjetër ka gjetur fqinjët e Elbasanit, në një përballje të ethshme mes dy ekipesh që edhe në kampionat ndajnë të njëjtët pikë, të njëjtën diferencë golash dhe të njëjtin vend në renditje, me verdheblutë që kanë në favor vetëm ndeshjet direkte.
Nga shorti u përcaktuan këto dy përballje gjysmëfinale:
Dinamo City – Vllaznia
Egnatia – AF Elbasani
Rruga drejt trofeut, përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste #kupaeshqiperise pic.twitter.com/pz9DC7VVum
— FSHF (@FSHForg) March 10, 2026
Ndeshjet e kësaj faze janë planifikuar të zhvillohen në datat 8 prill dhe 22 prill, ndërsa finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë do të luhet më 13 maj, ku do të kurorëzohet edhe skuadra fituese e këtij edicioni.
Kalendari i fazës gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë:
Dinamo City – Vllaznia (8 prill) / Vllaznia – Dinamo City (22 prill)
Egnatia – AF Elbasani (8 prill) / AF Elbasani – Egnatia (22 prill)
The post Kupa, hidhet shorti i gjysmëfinaleve: revansh e armiqësi në përplasjet e rezervuara appeared first on Lapsi.al.