Teuta përmbys Bylisin dhe rikthehet te fitorja pas 10 javësh

Teuta  ka dalë nga kriza e rezultateve duke gjetur më në fund trepikëshin pas dhjetë ndeshjesh pa fitore. Durrsakët mposhtën 2-1 me përmbysje Bylis në sfidën e javës së 24-t të Superiores, të zhvilluar në stadiumin Niko Dovana.

Sfida nisi me “shok” për vendasit, pasi në minutën e 3-të Aurel Marku zhbllokoi shifrat për Bylisin, duke kaluar miqtë në avantazh të hershëm. Reagimi i Teutës ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 5-të Wotlai riktheu baraspeshën, duke vendosur rezultatin 1-1.

Në minutën e 44-t, Teuta ishte shumë pranë përmbysjes, por portieri Ozois shpëtoi Bylisin pas goditjes me kokë të Kotobellit. Pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1.

Në fraksionin e dytë, durrsakët rritën presionin dhe gjetën golin e avantazhit në minutën e 56-të. Kotobelli realizoi një supergol nga goditja e dënimit, duke dhuruar një moment “magjik” për tifozët vendas.

Deri në fund, Bylisi tentoi të reagojë, por Teuta administroi mirë rezultatin. Pas 90+5 minutash lojë, gjyqtari sinjalizoi fundin e takimit me shifrat 2-1 për durrsakët.

Me këtë sukses, Teuta merr frymë lirisht në garën për mbijetesë. Bylisi mbetet në pozita të vështira dhe me presion të shtuar në javët e ardhshme.

The post Teuta përmbys Bylisin dhe rikthehet te fitorja pas 10 javësh appeared first on Lapsi.al.