Tentuan të kalonin 26 mijë euro dhe paundë të padeklaruar në Rinas, e pësojnë dy persona

Këtë të hënë, në aeroportin e Rinasit janë konstatuar dy raste të mosdeklarimit të vlerave monetare. Sipas raportimeve nga policia, nga kontrollet u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 26 mijë euro dhe paundë.

Ndërkohë, janë proceduar penalisht shtetasit D. Sh., 37 vjeç, dhe A. Z., 32 vjeç.

“Në vijim të veprimeve, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi shqiptar D. Sh., 37 vjeç, rezident në Mbretërinë e Bashkuar, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 15 000 paundë, të cilat synonte t’i fuste në territorin e Republikës së Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, u procedua penalisht shtetasi A. Z., 32 vjeç, banues në Kamëz, të cilit, gjatë kontrollit në vijën e dytë, iu gjetën 11 370 euro, që synonte t’i nxirrte nga Republika e Shqipërisë pa i deklaruar, në kundërshtim me ligjin.

Kontrollet dhe verifikimet nga Policia Kufitare do të vijojnë në mënyrë të pandërprerë, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme në kufi.”– njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

The post Tentuan të kalonin 26 mijë euro dhe paundë të padeklaruar në Rinas, e pësojnë dy persona appeared first on GIJOTINA.