101 minuta “dramë” në kryeqytet, Elbasani shokon Partizanin në fund!

Partizani dhe Elbasani kanë ndarë pikët pas një dueli me drithërima deri në sekondat e tij, ku ndodhi pothuajse gjithçka, në këtë takim të vlefshëm për javën e 22-të të Abissnet Superiores, por gjithçka u mbyll në barazim 2-2.

Të kuqtë krijuan më shumë raste për shënim, por ishin miqtë ata të cilët gjetën avantazhin me Lajthinë. Pak minuta më vonë, Janaçek u ndëshkua me të kuq duke lënë Elbasanin me 10 lojtarë, ndërsa Tsague shpërdoroi një penallti dhe mundësinë për të dyfishuar rezultatin. Pjesa e parë u mbyll me barazimin e Skukës, që e bëri më të ndezur fraksionin e dytë të lojës.

Aty Partizani luajti me 4 sulmues, duke kërkuar golin të cilin e gjeti me Isgandarli. Më pas kishte momente paniku në fushë kur Sembene ra në tokë pa ndjenja në mënyrë të papritur, duke krijuar frikë në kampin e kuq dhe jo vetëm.

I menjëhershëm ishte reagimi nga stafet mjekësore të të dy ekipeve, të cilët i erdhën në ndihmë lojtari. Edhe ambulanca u fut në fushë, por dalja e lojtarit u bë me anë të barelës, i cili u përmend dhe i qetësoi të gjithë.

Me rifillimin e lojës, Elbasani sulmoi me shumë forca dhe ia doli që të gjente barazimin në shtesë me Lajthinë, për të marrë të paktën një pikë në këtë duel.

 

The post 101 minuta “dramë” në kryeqytet, Elbasani shokon Partizanin në fund! appeared first on GIJOTINA.