Miratohet kërkesa e SPAK, shtohet mbrojtja për Altin Dumanin dhe prokurorin që heton Ballukun

Ish kreu i SPAK, Altin Dumani dhe disa prokurorë të tjerë të posaçëm do të kenë mbrojtje të shtuar. Kërkesa, e cila ishte bërë nga kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, u miratua nga Komisioni i Mbrojtjes pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Kërkesa për shtimin e sigurisë vjen pas presionit në rritje ndaj Dumanit lidhur me hetime të shumta që mbajnë firmën e tij në kohën kur ishte drejtues i SPAK, si dhe dosjet e tjera të “nxehta” që mbajnë prokurorët e strukturës së posaçme.

Përveç Dumanit, mbrojtja shtesë do të ketë edhe për disa prokurorë të tjerë të Prokurorisë së Posaçme, mes të cilëve edhe Dritan Prençi, i cili po heton zëvendës kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

Prençi gjithashtu kërkoi caktimin e dy masave “pezullim nga detyra” dhe “ndalim i daljes jashtë territorit të vendit” ndaj zv. Kryeministres së marrë të pandehur për tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për procedura të tjera.

 

The post Miratohet kërkesa e SPAK, shtohet mbrojtja për Altin Dumanin dhe prokurorin që heton Ballukun appeared first on GIJOTINA.