Greqia është përfshirë sot nga një mot i keq, me ekstremitete temperaturash, reshje shiu dhe dëborë në zona të ndryshme.
Qeveria ka shpallur alarmin në të paktën 7 zona, shkollat janë mbyllur në qarkun e Atikës (Athinë), kurse kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis anuloi edhe udhëtimin në Forumin e Davosit sot për shkak të situatës së motit dhe emergjencave civile, informon “Protothema”.
“Nesër, ndoshta dhe nëse axhenda dhe moti e lejojnë, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis do të udhëtojë për në Davos. Vërehet se nesër pasdite do të mbahet një samit i jashtëzakonshëm i liderëve evropianë mbi Groenlandën”, raporton media në fjalë.
Moti i keq ka goditur veçanërisht Korinthin, ku ka shkaktuar shumë probleme nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet, teksa pamjet po bëjnë xhiron e rrjetit. Probleme pati edhe në Thesali, bregdetin Jonian, por edhe atë lindor të vendit.
Në Gjirin e Korinthit, reshjet e dendura të shiut çuan në përmbytje të përhapura, ndërsa sipas banorëve të zonës, ujërat u derdhën në një periudhë të shkurtër kohore, duke marrë me vete mbeturinat dhe duke e bërë zonën të paarritshme.
Presidenti i Bashkësisë Lokale të Korfuzit, Giorgos Pitsas, në një deklaratë për Korinthostv.gr, theksoi se situata është veçanërisht serioze dhe bëri thirrje që zona të vendoset në gjendje të jashtëzakonshme.
The post Përmbytjet, moti i keq gjunjëzon Greqinë appeared first on Lapsi.al.