GJKKO ka refuzuar këtë të hënë kërkesën e kreu të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë arrest me burg.
Ish-presidenti Meta do vazhdojë të qëndrojë në qeli, ndërsa e ka konsideruar arrestimin e tij një proces me sfond politik.
Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Prokuroria e Posaçme përfundoi hetimet ndaj tij dhe Monika Kryemadhit për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë dhe e dërgoi dosjen në gjykatë për t’iu nënshtruar vlerësimit në seancë paraprake.
Po ashtu, janë dërguar për gjykim si të bashkëpandehur dhe Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, një finacuese e LSI-së. Dosja ka të bëjë me çështjen CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Sipas SPAK, Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim. Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim.
Ndaj ish-bashkëshortëve rëndojnë dhe akuzat për kryere të veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Nëna e Kryemadhit dhe e pandehura Ema Çoku akuzohen për pastrim parash, ndërsa Xhixho për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim.
The post Kërkoi zëvendësim të masës së sigurisë, GJKKO lë në burg Metën appeared first on GIJOTINA.