Incident gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike në Vlorë, përplasje me drejtuesit e IMT –

Një aksion i përbashkët i Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës është shoqëruar me një incident ditën e sotme.

Katër qytetarë, të cilët kundërshtonin ndërhyrjen e autoriteteve në biznese, janë përplasur fizikisht me drejtorin e IMT-së dhe inspektorin përgjegjës.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë efektivët e Policisë Rrugore për të neutralizuar situatën. Gjatë ndërhyrjes, një prej punonjësve të policisë është goditur gjithashtu, duke u detyruar të nxjerrë armën e shërbimit dhe të qëllojë në ajër.

Në vijim, janë njoftuar forcat speciale “Shqiponja”, të cilat kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë në konflikt për veprime të mëtejshme procedurale.