PSG hyn në histori, francezët mundin me penallti Flamengon në finalen e Kupës Interkontinentale dhe kompleton “sextuple”-n

Paris Saint-Germain ka hyrë zyrtarisht në histori. Me fitoren ndaj Flamengos në finalen e Kupës Interkontinentale, klubi parisien kompletoi “sextuple”-n e shumëpritur, një arritje e jashtëzakonshme e realizuar vetëm nga ekipet më dominuese të futbollit botëror.

Nën drejtimin e Luis Enrique, PSG mbylli një sezon të paharrueshëm dhe iu bashkua një elite të vogël, ku deri më tani kanë qenë vetëm Barcelona e vitit 2009 dhe Bayern Munich i vitit 2020.

Ky trofe nuk është thjesht një tjetër shtesë në vitrinën e sukseseve, por pjesa që e shndërron një sezon të shkëlqyer në një epokë historike. PSG ka kaluar nga një projekt ambicioz në një pikë referimi absolute të futbollit botëror

Suksesi i madh i PSG-së u ndërtua mbi vazhdimësi, autoritet dhe një filozofi të qartë loje. Gjatë sezonit, parizienët fituan Ligue 1, Trophée des Champions, Kupën e Francës, Ligën e Kampionëve, Superkupën e Europës dhe së fundmi Kupën Interkontinentale, duke kompletuar një sezon perfekt.

Pesha e këtij suksesi është edhe më e madhe për shkak të sfidave të ndryshme të përballuara: nga garat vendase, te finalet evropiane dhe përballjet ndërkontinentale, PSG tregoi të njëjtin mentalitet fitues në çdo kompeticion.

The post PSG hyn në histori, francezët mundin me penallti Flamengon në finalen e Kupës Interkontinentale dhe kompleton “sextuple”-n appeared first on www.lexo.al.