Gjyqtari që burgosi Salianjin shperblehet me postin e larte nga Rama –

Shqipëria ka marrë sot një tjetër goditje të rëndë për perceptimin e drejtësisë së pavarur. Presidenti Bajram Begaj ka firmosur dekretin që e katapulton Gent Shalën në Gjykatën e Lartë, një lëvizje që në pamje të parë duket formale, por që politikisht ka peshën e një mesazhi të qartë: përgëzo dhe promovo ata që ekzekutojnë linjën e pushtetit.

Në dekretin e publikuar më 12 dhjetor 2025, Begaj e paraqet vendimin si procedurë normale. Por faktet tregojnë të kundërtën: emri i Shalës nuk është thjesht një zgjedhje profesionale, por një gur i vendosur me kujdes në skemën e influencës që qeveria ka mbi sistemin e drejtësisë. As vetë presidenti nuk ka krijuar më iluzione se ka rol të pavarur – firmos çfarë i serviret nga Kryeministria.

Gjyqtari që e çoi Salianjin në burg – tani ngjitet në majë

Gentian Shala u bë figurë e njohur për publikun pasi firmosi vendimin penal që dërgoi në qeli ish-deputetin demokrat Ervin Salianji, një nga zërat më të ashpër kundër qeverisë. Çështja e tij u komentua gjerësisht si proces i ngarkuar politikisht, ku drejtësia u përdor si mjet ndëshkimi për kritikët.

Sot, vetëm pak kohë pasi Salianji humbi lirinë, gjyqtari që vendosi mbi fatin e tij shpërblehet me postin më prestigjioz që mund të marrë një gjyqtar në Shqipëri. Rastësi? Pothuaj askush nuk e beson këtë version.

Vetting i kontestuar, pasuri të paqartë, dyshime të forta – asgjë nuk e ndali avancimin

Ndryshe nga ç’do ndodhte me çdo gjyqtar tjetër, procesi i vetingut ndaj Shalës nuk u shndërrua në pengesë. Edhe pse gjatë rivlerësimit janë ngritur dyshime të shumta:

deklarime jo të qarta për pasurinë,

kontakte financiare që kërkonin hetim të thelluar,

përfshirje të mundshme në kompani ndërtimi përmes personave të tretë,

kontrata huaje të paargumentuara,

të gjitha këto u kaluan pa asnjë problem. Sistematikisht.

Kjo tregon se kur karriera e dikujt është e “bekuar” nga lart, filtrat e drejtësisë nuk funksionojnë.

Mesazhi që jep ky vendim: godit kundërshtarin, do të ngrihesh në detyrë

Emërimi i Shalës në Gjykatën e Lartë është një sinjal i fuqishëm për trupën gjyqësore: vendimet që prekin kundërshtarët politikë shpërblehen. Një sinjal po aq i rrezikshëm për demokracinë sa edhe për drejtësinë.

Ervin Salianji e vuajti dënimin si një lloj sakrifice të dhunshme politike. Sot, gjyqtari që firmosi atë dënim përfiton gradën më të lartë të karrierës. Ky është epilogu që zbardh edhe prapaskenën e gjithë procesit.

gijotina.com/