Frida Krifca nën hetim? Dumani: Po hetojmë për fondet IPARD, nuk përjashtohet asnjë i përfshirë

Altin Dumani tha sot në Kuvend se SPAK po heton mbi dyshimet për abuzim me fondet e IPARD. Ai theksoi se gjatë këtyre hetimeve po punohet ngushtë me OLAF.

“Ka regjistruar një procedim të tillë për fondet IPARD. Çështja është në hetim dhe po bashkëpunohet ngushtë me OLAF”,- tha Dumani.

Pytjes se a po hetohet ish-ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca, për fondet IPARD, Dumani garantoi se “në atë procedim penal hetohet çdo person që dyshohet se ka kryer veprime të paligjshme”.

Aeroporti i Vlorës

Lidhur me skandalin e Aeroportit te Vlores, Dumani tha se çështja është në fazën e hetimit paraprak.

“Nuk jap shpjegime për çështje që janë në fazën e hetimit paraprak”, tha Dumani.

Hetimi i Kryebashkiakut Shkreli

Opozita e kishte pyetur Altin Dumanin edhe për hetimet e nisura ndaj kryebashkiakut të PS në Vaun e Dejës, Kristian Shkreli. Opozita i tha Dumanit se dy ditë pas deklaratës së Ramës, i cili i tha “kristian mos luaj më dy porta”, SPAK i shkoi tek dera Shkrelit. Por, Dumani theksoi se hetimi ndaj tij kishte nisur para deklaratës së Ramës.

“Procedimi penal ka nisur para këtij deklarimi dhe ky është një hetim i suksesshëm, ka bërë të mundur dërgimin për gjykim të kryetarit të bashkisë së vaut të dejës për korrupsion në zgjedhje”, tha Dumani.

The post Frida Krifca nën hetim? Dumani: Po hetojmë për fondet IPARD, nuk përjashtohet asnjë i përfshirë appeared first on GIJOTINA.