Atentati ndaj zyrtarit të BDI-së, ky është i plagosuri me katër plumba në trup

Ky që shihni ne foto është i plagosuri, i cili ishte shënjestra e të shtënave në Kumanovë gjatë kësaj të marte.

Dr. Zekirija Shahini u qëllua me katër plumba, në pjesë të ndryshme të trupit, teksa ndodhej në rrugën “Dimitrija Tucakovic”. Ai është jashtë rrezikut për jetën.

Pas kryerjes së ekzaminimeve në Spitalin e Përgjithshëm, ai është dërguar në Shkup, informoi drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, Sasho Stosevski.

“Personi është pranuar me katër plagë nga arma e zjarrit në zonën e parakrahut të majtë dhe gjurit të djathtë. Të gjitha ekzaminimet janë kryer nga ana jonë – rëntgen, kompjuterik. Personi është jashtë rrezikut për jetën. Ai është transportuar në klinikat në Shkup me një automjet nga Spitali i Përgjithshëm i Kumanovës”, tha drejtori Stosevski.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar pas sulmit të armatosur ndaj kandidatit të saj dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, dr. Zekirija, i cili u qëllua nga persona të maskuar para ndërtesës së Komunës së Kumanovës dhe mbeti i plagosur.

Sipas njoftimit të BDI-së, fatmirësisht jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.

“Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati,” thuhet në reagimin e BDI-së.

Partia u ka bërë thirrje mbështetësve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, BDI ka vendosur të pezullojë aktivitetet e ditës së sotme, derisa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për garantimin e sigurisë publike dhe rendit.

gijotina.com/

The post Atentati ndaj zyrtarit të BDI-së, ky është i plagosuri me katër plumba në trup appeared first on GIJOTINA.