Rama i dha leje familjes Doma për HEC, protestojnë banorët e Kurdarisë në Klos

Çështja për ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës ka kaluar tashmë në betejë gjyqësore, ku banorët e fshatit Kurdari në njësinë administrative Suç, kanë paditur Bashkinë Klos, Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit, që drejtohet nga Kryeministri Rama dhe shoqërinë “Global Interprise Group” sh.p.k., pronë e familjes Doma në Klos.

Banorët, të përfaqësuar nga avokatët Adriatik Lapaj dhe Dorina Prethi, kërkojnë pavlefshmërinë absolute të vendimeve të Këshillit Bashkiak, kontratave të lidhura me kompaninë si dhe të lejeve të dhëna për shfrytëzimin e ujit dhe ndërtimin e hidrocentralit.

Avokatja Dorina Prethi theksoi se vendimet e Këshillit Bashkiak të Klosit për dhënien me qira apo në përdorim të fondit pyjor-kullosor, janë marrë në kundërshtim me ligjin, pasi nuk janë shoqëruar me konsultimet publike siç parashikohen në ligj. Sipas saj, konsultimet e kryera nga kompania nuk kanë asnjë vlerë ligjore dhe nuk mund të zëvendësojnë procesin që i takonte këshillit bashkiak.

“Është shkelur ligji duke mos e bërë këtë,” tha Prethi, ndërsa theksoi se zona e Kurdarisë është hambari i Matit dhe se rreth 700 familje e kanë kundërshtuar HEC-in përmes një peticioni.

Në sallën e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ku u zhvillua seanca e parë për padinë e banorëve të Kurdarisë ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Klos, kompanisë si dhe Avokaturës së Shtetit, ndërsa munguan përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Zhvillimit të Territorit (AZHT). Avokatët e banorëve, kërkuan që seanca të vijonte pavarësisht kësaj mungese, duke e cilësuar si shmangie nga përgjegjësia institucionale.

Avokati Adriatik Lapaj tha para gjykatës se përgjegjësia kryesore bie mbi Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit, e cila sipas tij “ka për detyrim të jetë e pranishme në proces, pasi është institucioni që ka marrë vendimet dhe ka dhënë lejet për shfrytëzimin e ujit.”

Gjyqtarja e çështjes, Ema Shaholli, vendosi shtyrjen e seancës për në 16 tetor 2025, pasi përfaqësuesit e institucioneve të tjera kërkuan ndërprerje për shkak të mungesës së përfaqësuesve të AZHT-së.

Ndërkohë, jashtë ambienteve të gjykatës, dhjetëra banorë protestuan duke mbajtur pankarta me thirrje për SPAK dhe për mbrojtjen e burimeve ujore.

“Kurdaria ka braktisjen më të ulët në Mat, sepse ka ujin vaditës dhe tokën prodhuese. Nëse na e marrin edhe këtë, vendi zbrazet,” tha Luftim Çeliku.

Ndërsa një tjetër banor i fshatit, Enver Dara, tha se “halli” i ka detyruar banorët të udhëtojnë deri në Tiranë, me kosto ekonomike për familjet e tyre.

“Ne do të bëjmë çdo lloj sakrifice për ta mbrojtur ujin,” tha ai./ BIRN

The post Rama i dha leje familjes Doma për HEC, protestojnë banorët e Kurdarisë në Klos appeared first on GIJOTINA.