E FUNDIT/ KLGJ tha se Kryeministri po minon drejtësinë, reagon RAMA menjëherë: Gjykatësit nuk janë maliqër

Pas deklaratës publike të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me qëndrimin e tij të mëparshëm për disa vendime gjyqësore që ai i cilëson si “skandalozisht brutale” dhe në “dëm të interesit publik”.

Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri thekson se e ka lexuar me vëmendje reagimin e KLGJ, duke theksuar se ky institucion “ka harruar se roli i saj themelor është të shqetësohet për cilësinë e drejtësisë dhe të garantojë publikun se vendimet që merren nga gjykatësit në dëm të tij nuk kalojnë pa u analizuar”.

Rama shton se:

“Gjykatësit nuk janë maliqër që bëjnë ç’të duan me ligjin në emër të pavarësisë.”

Ai kritikon qasjen e KLGJ-së, duke argumentuar se ky organ ka detyrimin të marrë seriozisht shqetësimet e palëve të prekura nga vendimet gjyqësore, veçanërisht kur këto vendime, sipas tij, “janë të ububushme për nga mungesa e ndjeshmërisë ndaj interesit publik”.

Megjithatë, Kryeministri shpreh dakordësinë me një pjesë të deklaratës së KLGJ, ku theksohet se “çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”. Në këtë drejtim, ai thekson se:

“E kam informuar publikun se do të ndjekim këtë rrugë ligjore, duke iu drejtuar KLGJ-së dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.”

Në përfundim të reagimit të tij, Rama i bën thirrje anëtarëve të KLGJ të përqendrohen në misionin e tyre dhe jo në mënyrën si ai ushtron detyrën e Kryeministrit:

“Mos harxhoni kohën për të gjykuar se si e bëj unë punën për të cilën më ka votuar populli shqiptar… përqendrohuni tek puna juaj, që gjermësot lë shumë për të dëshiruar në funksion të Shqipërisë 2030 në BE.”

The post E FUNDIT/ KLGJ tha se Kryeministri po minon drejtësinë, reagon RAMA menjëherë: Gjykatësit nuk janë maliqër appeared first on www.lexo.al.