Shorti/ Ja përbërja e KED për vitin 2025

Në Presidencë, u hodh këtë të hënë shorti për zgjedhjen e 9 anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025. Kryetari i Këshillit të Emërimeve për vitin 2025 është Sokol Sadushi dhe anëtari zëvendësues Medi Bici.

Nga hedhja e shortit u përzgjodhën si anëtarë të KED përkatësisht:

Marjana Semini – Gjyqtar, anëtare e Gjykatës Kushtetuese;
Ilir Toska – Gjyqtar, anëtar i Gjykatës Kushtetuese;
Sokol Sadushi – Gjyqtar, Gjykata e Lartë;
Alma Muça – Prokurore, Prokuroria e Përgjithshme;
Fuat Vjerdha – Gjyqtar, Gjykata e Apelit;
Enkela Vlora- Gjyqtar, Gjykata e Apelit;
Irma Balli – Prokurore, Prokuroria e Apelit;
Etjen Kapo – Prokuror, Prokuroria e Apelit;
Nafie Hasko – Gjyqtare, Gjykata Administrative.

Përpos 9 anëtarëve të përzgjedhur nga hedhja e shortit gjatë kësaj të hëne (2 dhjetor), KED-ja do të funksionojë edhe me gjashtë anëtarë zëvendësues të KED përgjatë 2025-ës.

Konkretisht:

Marsida Xhaferllari – Gjyqtare, Gjykata Kushtetuese;
Medi Bici – Gjyqtar, Gjykata e Lartë;
Thoma Jano – Prokuror, Prokuroria e Përgjithshme;
Elvana Çiçolli – Gjyqtar, Gjykata e Apelit;
Genti Xholi – Prokuror, Prokuroria e Apelit;
Bezart Kaçkini – Gjyqtar, Gjykata Administrative.

Të pranishëm në proces ishin Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, Avokatja e Popullit Erinda Ballanca, përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Gjykata Kushtetuese, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, si edhe përfaqësues ligjorë nga EURALIUS dhe ODAPT.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është një organ kolegjial me një mandat 1 vjeçar dhe është përgjegjës për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.  Anëtarët e zgjedhur të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ushtrojnë detyrën më kohë të pjesshme, pa u shkëputur nga funksionet e tyre të zakonshme, për një mandat njëvjeçar, që fillon në datën një janar të çdo viti kalendarik. Gjykata e Lartë siguron mbështetjen e nevojshme organizative, administrative dhe financiare për realizimin e funksioneve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, të parashikuara në Kushtetutë dhe në ligj.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është krijuar me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të ndodhura me miratimin në vitin 2016 të paketës legjislative të reformës në drejtësi. Ai  mblidhet sa herë është e nevojshme, për të kryer verifikimin e kushteve ligjore dhe për vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.