Zëvendëskryeministrja Balluku inspekton punimet e hekurudhës Tiranë–Rinas–Durrës

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, inspektoi sot punimet në linjën hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës, një nga investimet më të mëdha infrastrukturore në vend.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë të avancuar të punimeve për ndërtimin e stacioneve, që e bën këtë projekt akoma më afër realizimit dhe përfundimit të tij”, u shpreh Znj. Balluku.

Aktualisht, puna vijon në 8 kantiere aktive, përfshirë ndërtimin e Stacionit të ri të Trenit në Tiranë, stacioneve në Kashar, Vorë, Sukth, Shkozet dhe rikonstruksionin e stacionit në Durrës. Risi e këtij projekti është ndërtimi i stacionit të ri në Rinas, që do të lidhë drejtpërdrejt aeroportin me rrjetin hekurudhor, si dhe stacioni “Epoka” për të lehtësuar transportin e studentëve.

Stacioni qendror i Tiranës do të ndërtohet me dizajn modern nga arkitektë ndërkombëtarë dhe do të përfshijë ambiente komerciale dhe zyrat e Hekurudhës Shqiptare.

Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi rëndësinë e ngritjes së kapaciteteve njerëzore në këtë sektor, duke ndjekur modelin e suksesshëm të trajnimeve në Aviacionin Civil dhe sektorë të tjerë të transportit.

Dorëzimi i trasesë së përfunduar të linjës Tiranë-Rinas-Durrës parashikohet të realizohet brenda tremujorit të parë të vitit 2026, pas së cilës do të fillojë puna për elektrifikimin e linjës, një projekt me vlerë 27 milionë euro.
Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të transportit publik dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

The post Zëvendëskryeministrja Balluku inspekton punimet e hekurudhës Tiranë–Rinas–Durrës appeared first on www.lexo.al.