Zjarret, Ministria e Mbrojtjes: Gjatë 24 orëve janë evidentuar 38 vatra, 7 ende aktive

Ministria e Mbojtjes ka bërë përditësimin e situatës së zjarreve në vend në 24 orët e fundit.

Ministria njofton se janë evidentuar 38 vatra zjarri, ku 7 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Situata e zjarreve në rang vendi

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 38 vatra zjarri, nga të cilat 31 janë shuar dhe 7 vijojnë aktive.

Aktualisht, janë aktive vatrat në:
* Qarku Vlorë.
Në bashkinë Finiq, forcat kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vijojnë ende, për shkak të situatës.

Për të siguruar jetën e banorëve, u evakuuan 15 familje nga fshati Velahovë dhe 36 familje nga fshati Livinë, pa probleme apo lëndime.

Në mbështetje shkuan edhe 3 autoambulanca të Urgjencës Mjekësore. Ditën e sotme situata vazhdon të jetë problematike.

Konkretisht: vatra mbi fshatin Hardhasov në bazë dhe të erës është problematike për në drejtim jugor për në Navaricë si dhe në drejtimin perëndimor të fshatrave Fitore dhe Krane.

Në vatrën e zjarrit mbi fshatin Bistricë po operohet me mjete nga MZSH dhe efektivë të FA.

Gjithashtu vazhdon me intensitet puna për shuarjen e vatrës mbi fshatin Dhrovjan dhe Krongj. Vatrat e sipërpërmendura kanë shtrirje të madhe dhe në terren të thyer, çka pengon operimin me mjete.

Për këto arsye u kërkua edhe mbështetje nga ajri me helikopter.

Momentalisht në terren po operojnë: 37 forca zjarrfikëse me 6 automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë; 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare; 28 efektivë me 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë dhe 1 autobot, 60 trupa dhe 1 helikopter i FA. Në terren në fshatin Dhrovjan po operon edhe avioni kroat Canadair.

The post Zjarret, Ministria e Mbrojtjes: Gjatë 24 orëve janë evidentuar 38 vatra, 7 ende aktive appeared first on www.lexo.al.