Zelensky: Çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky paralajmëroi sot  kundër çdo vendimi të marrë pa Ukrainën, duke riafirmuar se ukrainasit “nuk do t’ua japin tokën e tyre pushtuesve”.

“Çdo vendim i marrë kundër nesh, çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes”, paralajmëroi ai në median sociale, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin kanë planifikuar të takohen në Alaska më 15 gusht për të provuar t’i japin fund luftës në Ukrainë të nisur nga Rusia.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se do të takohet me udhëheqësin rus Vladimir Putin në Alaska më 15 gusht.

“Takimi shumë i pritur midis meje, si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe presidentit Vladimir Putin të Rusisë, do të zhvillohet të premten e ardhshme, më 15 gusht 2025, në shtetin e madh të Alaskës. Detajet e mëtejshme do të vijojnë”, tha Trump në një postim në platformën e tij Truth Social.

Putin konfirmoi të enjten takimin e planifikuar me Trumpin mbi luftën në Ukrainë, duke sugjeruar Emiratet e Bashkuara Arabe si një vend të mundshëm për samitin.

Rusia ka zhvilluar një luftë shkatërruese kundër Ukrainës për më shumë se tre vjet.

Edhe Trump ka deklaruar vazhdimisht dëshirën e tij për t’i dhënë fund luftës shpejt.

Samiti do të jetë i pari midis një presidenti në detyrë të SHBA-së dhe Putinit që nga viti 2021, kur Joe Biden u takua me Putinin në Gjenevë.

The post Zelensky: Çdo vendim i marrë pa Ukrainën, do të ishte një vendim kundër paqes appeared first on GIJOTINA.