Shiu shuan zjarret, vetëm një vatër aktive

Shërbimi i Emergjencave Civile ka raportuar sot një situatë relativisht të qetë në vend sa i përket zjarreve. Gjatë orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 25 vatra zjarri, por vetëm një prej tyre mbetet aktive dhe nën monitorim.

Vatra e vetme aktive ndodhet në malin mbi fshatin Dhivër, në Bashkinë Finiq. Zjarri ka rënë në një sipërfaqe pyjore në lartësi, dyshohet si pasojë e një rrufeje. Ajo po mbahet nën kontroll nga shërbimi lokal i mbrojtjes nga zjarri (MZSH).

Ndërkohë, me ndihmën edhe të reshjeve të shiut janë shuar me sukses një numër i madh zjarresh në të gjithë vendin, duke përfshirë zona si:

Gryksh i Madh, Elbasan (ku u angazhuan 70 forca dhe 5 zjarrfikëse).
Dhorës, Skrapar.
Gurë-Lurë, Parku Kombëtar Lurë (me 60 forca në terren).
Daullas, Fier (me 55 forca dhe 4 zjarrfikëse).
Lusën, Kukës.
Blinisht, Lezhë.
Leskovik, Kolonjë.
Grudë dhe Rrjoll, Shkodër.
Ngjeqar, Roskovec.

Në total, gjatë operacioneve të shuarjes, në terren u angazhuan 375 forca operacionale dhe 39 automjete zjarrfikëse.

Emergjencat Civile përsërisin thirrjen ndaj të gjithë banorëve që të tregohen maksimalisht të kujdesshëm, të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo vatër të re menjëherë, për të parandaluar përhapjen e tyre.

The post Shiu shuan zjarret, vetëm një vatër aktive appeared first on GIJOTINA.