Pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore

Forcat ajrore gjermane do të vendosin pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për për një periudhë disa javore.

Që nga dita e nesërme, avionët do të veprojnë nga baza ushtarake Minsk Mazowiecki, në lindje të Varshavës, konfirmoi një zëdhënës i forcave ajrore.

Rreth 150 ushtarë nga Bundeswehr (ushtria gjermane) janë tashmë në terren.

Polonia është një mbështetëse kyçe, politike dhe ushtarake e Ukrainës që prej fillimit të agresionit rus më shumë se tre vite më parë. Ajo gjithashtu luan rol qendror si nyje logjistike për ndihmën ushtarake të perëndimit ndaj Kievit.

Polonia  e konsideron veten të kërcënuar nga Rusia dhe po zhvillon aktualisht një program të gjerë riarmatimi.

Që nga prilli, forcat ajrore gjermane kanë ndihmuar ushtrinë polake në monitorimin e hapësirës ajrore të Polonisë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e kishte paralajmëruar këtë vendim që në janar.

Komanda e lartë e ushtrisë polake njoftoi në platformën X se avionët do të mbështesin mbrojtjen e hapësirës ajrore në krahun lindor të NATO-s.

“Ky është një tjetër shembull i bashkëpunimit mes aleatëve dhe i përkushtimit të tyre të vërtetë ndaj sigurisë së Evropës Qendrore dhe Lindore”, thuhet në deklaratë.

The post Pesë avionë luftarakë “Eurofighter” në Poloni për një periudhë disa javore appeared first on GIJOTINA.