Zgjedhje në Tiranë për postin e Veliajt? Rama, takime nëpër hotele me deputetët dhe drejtorët

Kryeministri Edi Rama do të mbledh nesër deputetët e Tiranës dhe drejtuesit e bashkisë në një mbledhje të dytë pas asaj të zhvilluar 10 ditë më parë për shqetësimet e qytetarëve. A po përgatitet për zgjedhjet në Tiranë?

Mbledhja do të zhvillohet në orën 8.30 në një prej hoteleve në kryeqytet, ndërsa në takim do të jenë edhe drejtorët e bashkisë.

Gjatë kësaj kohe deputetët kanë zbritur në terren për t’u njohur me problematikat e qytetarëve dhe do t’i raportojnë ato tek kreu i qeverisë.

Më 4 korrik në një takim që zhvilloi me deputetët e Tiranës Rama u ka kërkuar atyre për dy javë, të evidentojnë problematikat e qytetit përmes kontakteve të drejtpërdrejta me qytetarët.  Edhe takimi i kaluar u mbajt në një lokal hoteli.

Rama ka kërkuar angazhim të deputetëve aktualë të Tiranës në mbledhjen e problemeve në çdo njësi të Tiranës.

Burime nga kjo mbledhje tregojnë se Rama ka prekur edhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë Tiranë.

“Nuk i dihet si do të shkojë kjo punë”, citohet të ketë thënë Rama.

Kjo pikëpyetje e ngritur nga Rama për mbajtjen ose jo të zgjedhjeve në Bashkinë Tiranë lidhej edhe me një zhvillim të pritshëm se çfarë do të vendosë Gjykata e Lartë për apelin e kërkuar nga Erion Veliaj. Kjo pikëpyetje u zgjidh tashmë, që vendimi ishte kundër lirimit të Erion Veliajt.

Nga ana tjetër kjo është edhe një sfidë juridike. Zgjedhjet e parakohshme në Tiranë nuk mundet të shpallen nëse kryetari i Bashkisë nuk vdes, nuk jep dorëheqje apo nuk dënohet me vendim të formës së prerë nga gjykata, sipas ligjit.

gijotina.com/

The post Zgjedhje në Tiranë për postin e Veliajt? Rama, takime nëpër hotele me deputetët dhe drejtorët appeared first on GIJOTINA.