Zjarri ka depërtuar brenda mbetjeve në landfillin e Elbasanit, përhapet tym toksik

Vatra e zjarrit në landfillin e Elbasanit vijon të jetë aktive prej 4 ditësh. Flakët kanë përfshirë vendgrumbullimin e mbetjeve pranë Inceneratorit të Elbasanit. Ndërkohë si pasojë tymi i dendur toksik dhe era e rëndë kanë pushtuar zonën, duke sjellë shqetësim tek qyetarët dhe duke shkaktuar një katastrofë mjedisore.

Një ditë më parë, nisi dhe ndërhyrja nga ajri, por depërtimi i zjarrit në brendësi të mbetjeve, temperaturat e larta dhe era e fortë kanë bërë të vështirë fikjen e zjarrit.

Helikopterët nisën operacionet ajrore mbi zonën e prekur me qëllim përshpejtimin e ndërhyrjes dhe minimizimin e rrezikut nga përhapja e mëtejshme e zjarrit në thellësinë e mbetjeve. Ndërhyrja nga ajri është bërë e domosdoshme për shkak të vështirësive në akses dhe intensitetit të flakëve që vazhdojnë të digjen në shtresat e brendshme të fushës së mbetjeve, pavarësisht hedhjes së mbi 10.500 metra kub dherash. Ndërkohë sot është paralajmëruar edhe një protestë pra prokurorisë dhe bashkisë së Elbasanit.

The post Zjarri ka depërtuar brenda mbetjeve në landfillin e Elbasanit, përhapet tym toksik appeared first on Lapsi.al.