Nga Gaqo tek Gimi, Neshot që dëmtojnë Shqipërinë në dy kohë të ndryshme

Nga Endri Kajsiu/

Zelli ideologjik i të atit në diktaturë dhe mllefi personal i të birit në demokraci, një trashëgimi që i ka kushtuar vendit nga izolimi i djeshëm te sabotimi i sotëm.

A është Agim Nesho një kërcënim për Shqipërinë demokratike, njësoj si babai i tij për Shqipërinë e izoluar?Pak ditë më parë, në një përpjekje të stërmunduar për të ndikuar opinionin ndërkombëtar mbi Shqipërinë, Agim Nesho botoi një artikull në platformën amerikane Fox News, ku i mëshon me ngulm tezës së një Shqipërie që, sipas tij, po rrëshqet drejt autokracisë. Duke përdorur termin “Ramaduro” për të identifikuar qeverisjen e Edi Ramës, ai përpiqet të krijojë një lidhje artificiale dhe të pasinqertë midis një regjimi të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe diktaturave të Amerikës Latine. Ky shkrim, i mbushur me mllef personal dhe fjalor dramatik, nuk është thjesht një opinion ndryshe. Është një akt diskreditimi publik që vjen në një moment kritik për Shqipërinë, pikërisht në prag të një faze të rëndësishme të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Dhe, për ironi të fatit, ky baltëhedhës i së sotmes, dikur ishte përfaqësues zyrtar i Shqipërisë në selitë diplomatike të Perëndimit.

Në qendër të këtij shkrimi është figura e vetë Agim Neshos, një ish-diplomat i periudhës postkomuniste, i cili prej vitesh ka marrë përsipër “ndriçimin” e shqiptarëve përmes paralajmërimeve të tij për një rrezik të supozuar që, sipas tij, vjen nga qeverisja e Edi Ramës. Por a është ky një zë i sinqertë, apo një zë që artikulon një agjendë të heshtur personale, të vjetër dhe të dështuar? Do të isha i prirur ta besoja këtë “mision demokratik” të Agim Neshos, nëse ChatGPT nuk do më kishte ndriçuar rrënjësisht për të kaluarën e tij, për profilin e tij real dhe, mbi të gjitha, për motivet që fshihen pas sulmeve të tij ndaj Edi Ramës.

Tani e kam të qartë: Agim Nesho nuk ka asnjë interes për demokracinë shqiptare. Ai thjesht përdor gjuhën e Perëndimit për të larë hesape të vjetra me një lider që nuk e përfshiu kurrë në arkitekturën e pushtetit të pasvitit 2013. Dhe për ta bërë këtë, ai nuk kursen as vendin që përfaqësoi dikur Shqipërinë, duke hedhur mbi të qymyr të zi në sytë e ndërkombëtarëve, vetëm për të diskredituar Edi Ramën. Në këtë përballje, kontrasti është i qartë. Edi Rama është sot lideri më i qëndrueshëm politik në Ballkan, një figurë e njohur dhe e respektuar në tryezat europiane, një zë që flet për rajonin në gjuhën e reformës dhe integrimit. Është njeriu që ka drejtuar Shqipërinë në një kurs të pakthyeshëm europian, ka garantuar vijueshmëri në reformën në drejtësi, ka ndërtuar stabilitet institucional dhe ka avancuar me guxim në sfidat e modernizimit të shtetit.

The post Nga Gaqo tek Gimi, Neshot që dëmtojnë Shqipërinë në dy kohë të ndryshme appeared first on www.lexo.al.