Erion Veliaj kërkon lirinë, caktohet data kur do të zhvillohet rekursi në Gjykatën e Lartë

Është caktuar data e zhvillimit të rekursit të Erion Veliajt në Gjykatën e Lartë.

Seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, i cili kërkon lirinë do të zhvillohet më 8 Korrik në orën 12:00.

Në të njëjtën datë do të zhvillohet edhe rekursi i biznesmenit Elman Abule, që ndodhet nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe akuzohet për pastrim parash në dosjen e Erion Veliajt.

Relatore e rekursit është caktuar gjyqtarja Albana Boksi. Kujtojmë që Erion Veliaj është nën hetim për korrupsion e pastrim parash dhe ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit të këtij viti.

Në dosjen e SPAK ka të akuzuar dhe nën hetim edhe familjarë të Veliajt dhe disa biznesmenë.

AKUZAT E SPAK

Sipas SPAK, Erion Veliaj akuzohet “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Gentian Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi, Sokol Kryeziu dhe Shkëlqim Fusha, akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Ndërsa biznesmeni Elman Abule po hetohet për pastrim parash në dosjen e kryebashkiakut të Tiranës. Ai u vendos në pranga më 10 Shkurt, ditën kur u arrestua edhe kryebashkiaku i Tiranës, pasi SPAK lëshoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.

Por, Apeli i GJKKO-së në seancën e datës 13 Mars, zëvendësuan masën e sigurisë në “arrest shtëpie” ndaj biznesmenit Elman Abule.

 

 

The post Erion Veliaj kërkon lirinë, caktohet data kur do të zhvillohet rekursi në Gjykatën e Lartë appeared first on GIJOTINA.