Ekstradohet nga Zimbabve administratori i inceneratorit të Fierit

Administratori i inceneratorit të Fierit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar në vendin tonë nga Zimbabve. Bëhet fjalë për shtetasin Loran Dusha, 42 vjeç lindur në Lushnjë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në vitin 2022, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet ka rezultuar se në cilësinë e administratorit të një kompanie private, ka përfituar fonde publike në mënyrë të paligjshme, përmes faturave dhe pagesave fiktive, për punë dhe shërbime të pakryera. Pas mbërritjes në Shqipëri, 42-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

The post Ekstradohet nga Zimbabve administratori i inceneratorit të Fierit appeared first on Lapsi.al.