Lëvizte me armë zjarri në makinë, vihet në pranga 28-vjeçari në Tiranë

Një i ri është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi në automjetin që ai drejtonte , tip “Range Rover”, është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi fishekësh.

Në pranga është vënë shtetasi F. M., 28 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Raportohet se ai është ndaluar nga uniformat blu në fshatin Domje të kryqytetit, ku i është gjetur edhe arma e zjarrit brenda “Range Rover-it”.

 

Njoftim i Policisë:

Si rezultat i kontrolleve të befasishme të kryera nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në automjete të ndryshme, është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje. Në fshatin Domje, gjatë kontrollit në automjetin me drejtues shtetasin F. M. dhe pasagjer një shtetas 16 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe një sasi fishekësh.

Në vijim të veprimeve për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vorë:
-arrestuan shtetasin F. M., 28 vjeç, banues në Domje, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 16-vjeçarin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;
-u shpallën në kërkim shtetasit R. T., 24 vjeç, banues në Domje, pronari i automjetit, dhe V. B., 24 vjeç, banues në Domje, përdoruesi aktual i automjetit, pasi dyshohet se i ka dhënë automjetin 28-vjeçarit.

Vijon puna për kapjen e shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

The post Lëvizte me armë zjarri në makinë, vihet në pranga 28-vjeçari në Tiranë appeared first on GIJOTINA.