Vrasja 17 vite më parë në Greqi, prokuroria e Korçës çon në gjyq dy autorët e dyshuar

Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim dy autorët e vrasjes së shqiptarit Arjan Xhambazi 17 vjet më parë në Greqi.

Gëzim Latja dhe Armando Tarushllari u arrestuan një vit më parë nga policia e Korçës në bashkëpunim me autoritetet greke, por iu refuzua ekstradimi në shtetin helen. Ndaj tyre rëndon akuza e vrasjes me dashje në bashkëpunim.

Ngjarja ndodhi në dhjetor të vitit 2008 në rrugën “Efpalinu në zonën e Athinës”, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, mbeti i vrarë Xhambazi dhe u plagos një tjetër. Për këtë ngjarje autoritetet greke mundën të identifikonin dhe ndalonin vetëm njërin prej tre autorëve të dyshuar të ngjarjes.

“Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të dhunshëm midis dy grupeve shqiptare për motive të dobëta, i kanë shkaktuar shtetasit A.Xh., dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit si pasojë e goditjeve me duar/grusht, shkopinj dhe thikë, ku referuar autopsisë si shkak i vdekjes është konkluduar dëmtim i rëndë i pjesës së majtë të kraharorit dhe zemrës që vjen si rezultat i goditjeve vdekjeprurëse”, njofton Prokuroria.

The post Vrasja 17 vite më parë në Greqi, prokuroria e Korçës çon në gjyq dy autorët e dyshuar appeared first on GIJOTINA.