Sot seancë plenare/ Opozita ka paralajmëruar vijimin e aksionit, çfarë pritet…

Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare teksa pritet të ketë zhvillime në dy kampet politike.

Maxhoranca ka kërkuar të vijojë punën pa 24 deputetët e përjashtuar të opozitës, ndërsa opozita ka paralajmëruar mosbindje civile.

Në rendin e ditës është parashikuar një interpelancë me ministren e Kulturës dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, e thirrur nga deputeti Agron Shehaj.

Ndërkohë, në seancën e sotme do të jetë dhe raporti vjetor për KLSH-në dhe disa projektligje të tjera.

Kujtojmë se seanca e kaluar nuk u zhvillua për shkak se kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali njoftoi shtyrjen e saj, në mënyrë që të shmangeshin tensionet, pasi në të njëjtën ditë presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan ishte në Tiranë për të inauguruar Xhaminë e Madhe të Tiranës.

Opozita e ka bërë të qartë se mosbindja do të vijojë dhe referuar seancave të mëparshme,ka rezultuar në përplasje me anëtarët e gardës dhe konflikt me deputetët e mazhorancës.

Nga ana tjetër, protesta e saj për vjedhjet e qytetarëve të Tiranës nga drejtorët e Bashkisë së kryeqytetit përmes kompanisë famëkeqe “5D Konstruksion” do të vijojë paraditen e sotme në sheshin para institucionit të drejtuar nga Erjon Veliajt.

Këtë të fundit opozita e akuzon si kryehajdutin e grupit të struktura kriminal që operon në Bashkinë e Tiranës, dhe i cili sipas saj ka organizuar dhe drejtuar vjedhjen e qindra miliona eurove si me incineratorit fantazim që nuk ekziston në Tiranë, ashtu dhe me të besuarit e tij në Kompaninë “5D”.

Pak orë para seancës parlamentare, ku opozita pritet të vijojë me aksionin e saj, PD mbledh grupin parlamentar në selinë blu në orën 08:30.

Në mbledhje mund të diskutohet për mënyrën sesi do të zhvillohet aksioni i ditës së sotme, ndërsa Garda ka shtuar masat para institucionit duke vënë një gardh metalik në hyrje të godinës.

The post Sot seancë plenare/ Opozita ka paralajmëruar vijimin e aksionit, çfarë pritet… appeared first on GIJOTINA.