Gati çdo gjë në jug, nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në Vlorë, Fier, Sarandë dhe Pogradec

Në prag të ditës së votimit, të gjitha strukturat zgjedhore në qarqet e jugut të vendit janë vënë në lëvizje për të përmbyllur shpërndarjen e materialeve në kohë dhe me organizim të plotë.

Në Vlorë, çdo KZAZ, si në qytet ashtu edhe në rreth, ka përfunduar përgatitjet dhe është gati për nisjen e procesit të votimit dhe më pas të numërimit të votave. Shpërndarja e kutive dhe materialeve zgjedhore drejt qendrave të votimit pritet të nisë sot në orën 15:00, për shkak të mungesës së përkohshme të efektivëve të policisë që ndodhen në trajnim.

Në Sarandë, KZAZ nr. 91 ka nisur prej mëngjesit shpërndarjen e materialeve, ndërsa në Pogradec, KZAZ nr. 70 është duke shpërndarë kutitë dhe fletët e votimit për 106 qendrat e votimit që mbulon, përfshirë zonat urbane dhe rurale të Mokrës dhe fshatrat përreth. Procesi po zhvillohet nën mbikëqyrjen e komisioneve të përfaqësuara nga partitë politike, dhe deri tani nuk janë raportuar probleme.

Në Fier, shpërndarja e materialeve ka nisur në mesditë në tre KZAZ-të përkatëse – nr. 58, 59 dhe 60 – të cilat përfshijnë qytetin dhe njësitë administrative të bashkisë. Janë gjithsej 97 qendra votimi që do të pajisen me materialet për 157,761 zgjedhës të regjistruar. Edhe në bashkitë Patos, Roskovec dhe Mallakastër ka nisur në mënyrë të koordinuar shpërndarja e materialeve, duke garantuar që çdo qendër votimi të jetë funksionale dhe gati për ditën e nesërme.

Sipas ligjit zgjedhor, procesi i shpërndarjes kryhet nga kryetarët dhe sekretarët e qendrave të votimit, nën mbikëqyrjen e forcave të rendit që do të sigurojnë ruajtjen e materialeve deri në hapjen zyrtare të qendrave. Autoritetet zgjedhore kanë theksuar rëndësinë e shpërndarjes në kohë për garantimin e një procesi të qetë, të sigurt dhe të besueshëm për qytetarët.

The post Gati çdo gjë në jug, nis shpërndarja e materialeve zgjedhore në Vlorë, Fier, Sarandë dhe Pogradec appeared first on GIJOTINA.