Blendi Gonxhe rrezikon të lërë ushtrinë pa ushqim, anulohet tenderi gjigant 22 milionë euro, u denoncua nga bizneset

Kur gijotina.com raportoi se ministri i  Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe po shfrytëzon Operatorin e Blerjeve të Përqendruara për të manipuluar tenderët, kjo përfshiu interesin e publikut. Sidomos bëhej fjalë prokurimin e ushqimeve dhe shërbimeve nëpër spitale. Dhe janë miliarda lekë kontrata që u shkuan biznesmenëve të favorizuar. Ama, këto nuk janë asgjë para asaj që po vjen.

Tani synohet më lart. Ushqimet e Ushtrisë Shqiptare janë dorë të Blendi Gonxhes, i cili do të firmosë kontrata 4-vjeçare për mensat e reparteve. Janë mbi 22 milionë euro (pa përfshirë TVSH) që ministri Gonxhe do t’i shpërndajë ashtu si di ky zyrtar veteran i abuzimeve.

Menjëherë kanë nisur denoncimet në KPP. Një biznesmen ka denoncuar në Komisionin e Prokurimit Publik tenderin me objekt “Loti 5 – “Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi për Repartin Ushtarak nr.1010, Vau-Dejës, Shkodër”.

Fondi i prokuruar me të cilin do të furnizohet me ushqim mensa e ushtarakëve në Vaun e Dejës është 4 milionë euro.

Në fakt ky është një projekt gjigand në të cilin Gonxhe ka përdorur OBP-në si  autoritet kontraktor, pasi ka vendosur të marrë përsipër furnizimin me ushqimeve të të githë reparteve ushtarake në vend. Prandaj në total janë 9 lote që do të zhvillohen ku secili nis me vlerat nga 830 milionë lekë deri në 6 miliardë lekë që në total shkojnë mbi 22 milionë euro.

 

Nuk do të jetë çudi që të gjitha këto para të shkojnë pa transparencë dhe ka konkurrencë në duart e ndonjë oligarku me të cilin është bërë pazari më parë.

Tenderi për lotin 5 është hapur në 15 korrik 2024 dhe parashikohej të zhvillohej më datë 26 gusht 2024, ku administratorja e OPB do të përfundonte firmosjen e letrave për 4 milionë eurot e ushqimit të repartit të Vaut të Dejës. Por me urdhër të KPP tenderi është anuluar. Zyrtarisht në Agjencinë e Prokurimeve Publike është deklaruar se “tenderi është anuluar për shkak se nuk ka asnjë ofertë të përshtatshme”. Në fakt e vërteta është ndryshe.

Njoftimi i anulimit të procedurës është bërë në Buletinin Nr. 56 dhe mban datën 2 Shtator 2024. Ç’ndodhi? Më datën 26 shtator 2024 plasën denoncimet pranë Komisionit të Prokurimit Publik. Kështu, është kërkuar shfuqizimi i vendimit tё Komisionit të Vlerësimit të Ofertave mbi skualifikimin e ofertës të paraqitur nga bashkimi i operatorëve “Nika SHPK & Silver” SHPK.

Komisioni i ka skualifikuar për mungesë të kapaciteteve teknike, por dy kompanitë argumentojnë e përmbushin të gjitha kriteret e vendosura.

Edhe kompania “DION-AL”sh.p.k është kundër skualifikimit nga komisioni i vlerësimit të ofertave.

Sipas Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, kompania nuk ka licencë për katering, për vetëm për gatim ushqimi. Por firma këmbëngul se kjo licencë nuk është e nevojshme për këtë shërbim që ka objekti i tenderit.

 

OPB thotë se licenca e paraqitur nga OE “DION-AL” shpk LN8823-10-2019, ka veprimtari specifike “Prodhim, përpunim, shpërndarje me shumicë e ushqimeve për njerëz (Restorant)” e cila nuk është në përputhje me fushën specifike të veprimtarisë objekt prokurimi.  Pra, firma në fjalë e ka të specifikuar për restorante dhe sipas komisionit nuk përmbush kërkesën, pasi përgatitja e ushqimit do të jetë për  repartet ushtarake.

Ankimuesi këmbëngul, se procesi i punës dhe i shërbimit do të jetë i njëjtë, në të njëjtat kushte dhe ai ka kapacitet ta përmbush atë kontratë. Mirëpo Gonxhe nuk dëgjon fare kur e ka ndarë se kujt do t’ia japë kontratën. Në këto kushte operatori e ka çuar çështjen deri në KPP.

I ndodhur para këtyre kundërshtimeve, Gonxhe ka preferuar të mos e lërë tenderin gjigant 22 milionë euro në gjykimin e KPP dhe të opinionit, prandaj ka vendosur anulimin.

 

©️Copyright Gijotina.com

Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016