Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet për incidentin e ndodhur mesditën e sotme pranë Hotel Dajtit, ku u plagos me plumb gome deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti.
Përmes një njoftimi zyrtar, AMP bën me dije se ka nisur veprimet procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Sipas njoftimit, deputeti 56-vjeçar dyshohet se është qëlluar me plumb gome në shpinë.
Hetimet synojnë të sqarojnë mënyrën sesi ndodhi incidenti dhe nëse ka pasur shkelje nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
AMP thekson se do të ushtrojë kompetencat e saj ligjore për të garantuar ligjshmërinë dhe përgjegjshmërinë institucionale.
NJOFTIM PËR SHTYP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka nisur kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur sot, më datë 29.11.2026, pranë Hotel Dajtit.
Në këtë ngjarje, shtetasi Kliti Hoti, 56 vjeç, deputet i Partisë Demokratike, dyshohet se është goditur me plumb gome në shpinë.
AMP mbetet e angazhuar në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore për verifikimin dhe hetimin e çdo rasti që lidhet me veprimtarinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e ligjshmërisë dhe përgjegjshmërisë institucionale.
The post Polici qëlloi me plumb gome deputetin e PD-së, reagon Agjencia e Mbikëqyrjes Policore appeared first on GIJOTINA.