“Edi Rama, o tradhtar, lëre sheshin sa më parë!” Protestuesit përplasen me policinë në Vlorë

Festimet për 114-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë janë shoqëruar edhe me protesta kundër qeverisë, ndërsa gjatë tubimit janë regjistruar tensione dhe përplasje mes qytetarëve dhe forcave të policisë.

Protestuesit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhet në qytetin bregdetar për të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të ngritjes së flamurit kombëtar.

“Edi Rama, o tradhtar, lëre sheshin sa më parë”, kanë qenë ndër thirrjet e dëgjuara gjatë manifestimit.

Situata është përshkallëzuar në përplasje mes protestuesve dhe efektivëve të policisë. Pas incidenteve, mësohet se janë shoqëruar dy persona, Arben Abazaj dhe Gëzim Zilja.

Gjithashtu, raportohet se një qytetar ka mbetur i lënduar gjatë përplasjeve, ndërsa ende nuk ka detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore. Mbeten të paqarta edhe rrethanat që çuan në tensionimin e situatës dhe shoqërimin e dy protestuesve.

Ndërkohë, në Sheshin Skënderbej në Tiranë po zhvillohet protesta kombëtare e 28 Nëntorit, e paralajmëruar prej kohësh, së cilës i janë bashkuar qytetarë, studentë dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora.

Pjesëmarrësit kanë ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me situatën ekonomike dhe politike në vend, duke vënë theksin te rritja e çmimeve, mungesa e meritokracisë, vështirësitë në punësim, emigrimi i të rinjve dhe mungesa e përfaqësimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

Gjatë manifestimit në kryeqytet janë dëgjuar gjithashtu thirrje për largimin e Edi Ramës dhe Sali Berishës nga politika dhe vendosjen e përgjegjësve para drejtësisë.

Me rastin e festës së Pavarësisë dhe protestës kombëtare, mijëra shqiptarë të diasporës kanë kaluar gjatë ditës së sotme pikën kufitare të Morinës në Kukës, ndërsa autokolona automjetesh të zbukuruara me flamuj kuqezi janë nisur drejt kryeqytetit.

Paralelisht me protestat, në qytetin e Vlorës po zhvillohet ceremonia solemne e ngritjes së flamurit kombëtar, me rastin e 114-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në ceremoninë zyrtare marrin pjesë presidenti Bajram Begaj, kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë shtetërorë dhe vendorë.

 

The post “Edi Rama, o tradhtar, lëre sheshin sa më parë!” Protestuesit përplasen me policinë në Vlorë appeared first on GIJOTINA.