Lëvizja Aleanca Kombëtare, në protestën kombëtare të zhvilluar sot në Tiranë, prezantoi një dokument me 10 pika që i adresohen qeverisë dhe synojnë rindërtimin e shtetit shqiptar mbi bazat e interesit kombëtar. Aleanca thekson se Shqipëria duhet të jetë shtet i shqiptarëve dhe jo i personave të korruptuar ose të huaj, dhe propozon ndërtimin e një shteti-komb me pjesëmarrjen dhe përfitimin e të gjithë shqiptarëve.
Pikat kryesore të platformës janë:
1) Thirrja e një Asambleje Kushtetuese për të rishkruar Kushtetutën dhe për t’i rikthyer kombit sovranitetin dhe vendimmarrjen.
2) Futja, krahas referendumit shfuqizues/abrogativ, edhe e referendumit propozues për çështje të caktuara.
3) Ndryshimi i sistemit elektoral dhe i kodit zgjedhor për të siguruar përfaqësim të të gjithë shtresave shoqërore.
4) Krijimi i një qeverie tranzitore të ekspertëve pa parti, me pëlqimin e Parlamentit.
5) Kalimi i menjëhershëm në veting i gjithë klasës politike.
6) Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive të pajustifikuara të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
7) Ashpërsim i ndëshkimeve penale dhe administrative për korrupsionin, përfshirë konfiskimin e pasurive të pajustifikuara.
8) Ndëshkim i ashpër i ekonomisë kriminale në të gjitha format: heqje licence, sekuestrime, konfiskime deri në burgosje.
9) Një reformë rrënjësore dhe përfundimtare për çështjen e pronave.
10) Ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi të partive politike, që të avancojë dhe mbrojë interesat e bashkësisë ligjore-politike me mjete legjitime demokratike.
Në deklaratën e Aleancës theksohet nevoja për të vepruar sipas interesit kombëtar për të ndërtuar shtetin shqiptar, edhe si një projekt i përkohshëm politik, me synim bashkimin, pavarësimin dhe vetëqeverisjen e shqiptarëve në shtetin e tyre, duke u nisur nga rruga që, sipas tyre, kanë treguar rilindasit.
The post Kërkesat në protestë, Lëvizja Aleanca Kombëtare kërkon qeveri tranzitore dhe Vetting për gjithë klasën politike appeared first on GIJOTINA.