“Shqipëria nuk shitet!”/ Me flamuj kuqezi mbi supe, nis grumbullimi i qytetarëve në Sheshin Skënderbej

Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në qendër të Tiranës, në kuadër të protestës kombëtare të 28 Nëntorit kundër qeverisë së Edi Ramës. Në Ditën e Pavarësisë, qytetarë, studentë dhe përfaqësues të diasporës pritet të bashkohen në një manifestim që synon të shndërrojë kryeqytetin në qendër të revoltës kundër qeverisjes socialiste.

Protesta është thirrur me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë. Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke kërkuar që në Tiranë të bashkohen shqiptarë nga të gjitha qytetet e vendit, por edhe bashkatdhetarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.

Sipas njoftimeve të organizatorëve, grumbullimi është parashikuar në zonën e sheshit “Skënderbej”, ndërsa më pas protestuesit do të marshojnë drejt Kryeministrisë. Partia Demokratike ka deklaruar mbështetjen për protestën, e cila vjen pas muajsh të tërë protestash të qytetarëve dhe të rinjve kundër qeverisë.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka marrë masa të shtuara sigurie në kryeqytet, me rreth 2 mijë efektivë të angazhuar në terren, përfshirë FNSH-në, njësitë Shqiponja dhe Policinë Rrugore.

Data e 28 Nëntorit i jep një simbolikë të veçantë këtij manifestimi, ndërsa protestuesit synojnë që në 114-vjetorin e Pavarësisë të përcjellin një mesazh të fortë kundër qeverisë Rama.

 

The post “Shqipëria nuk shitet!”/ Me flamuj kuqezi mbi supe, nis grumbullimi i qytetarëve në Sheshin Skënderbej appeared first on GIJOTINA.