Ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë, qytetarët protestojnë kundër Ramës

Në një ditë që duhet të simbolizojë bashkimin, lirinë dhe krenarinë kombëtare, Sheshi i Flamurit në Vlorë është rrethuar nga masa të forta sigurie.

Asnjë hapësirë e lirë për qytetarët, ndërsa në shesh janë lejuar të qëndrojnë vetëm fëmijë të përzgjedhur nga shkollat, të cilët po performojnë me valle dhe kostume tradicionale.

Rreth 500 efektivë policie janë angazhuar në terren, ndërsa kordoni i sigurisë shtrihet në një gjatësi prej rreth 1.5 kilometrash, duke nisur nga shkolla “Ali Demi” deri te vendi i njohur si “Kapelja”, përpara Monumentit të Pavarësisë.

Në shesh ndodhen vetëm nxënës të përzgjedhur, të veshur me kostume tradicionale, ndërsa mediat janë zhvendosur në një cep të largët, ku, sipas raportimeve, nuk u krijohen kushtet e nevojshme për të ushtruar lirisht detyrën e tyre.

Ndërkohë tensione janë shfaqur gjatë ceremonisë shtetërore të ngritjes së Flamurit, ku të pranishëm ishin Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, Presidenti Bajram Begaj dhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Gjatë ceremonisë, qytetarët e pranishëm kanë protestuar dhe kanë bërë thirrje për largimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj masave të forta të sigurisë dhe kufizimit të pjesëmarrjes së qytetarëve në shesh.

Protestuesit kanë brohoritur gjithashtu: “Poshtë diktatura!”, duke këmbëngulur se Sheshi i Flamurit u përket qytetarëve dhe se askush nuk duhet t’i përjashtojë ata nga një festë që simbolizon lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Protestuesit kanë tentuar të heqin gardhin metalik, por janë sulmuar nga policia me gaz lotsjellës.

Policët e armatosur rëndë kanë ushtruar dhunë ndaj tyre, duke e tensionuar situatën akoma më shumë.

Mes qytetarëve të pranishëm ka edhe shumë prej atyre që kanë udhëtuar nga Kosova për këtë ditë të rëndësishme.

The post Ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë, qytetarët protestojnë kundër Ramës appeared first on GIJOTINA.