Dy shqiptarë janë dënuar me burg në Britaninë e Madhe, pasi u kapën duke kultivuar 705 bimë kanabisi në një ambient industrial në Northallerton, me vlerë të përllogaritur në treg rreth 302 mijë paund. Në përfundim të procesit gjyqësor, gjykatësi kërkoi që të dy shqiptarët të deportohen menjëherë pas përfundimit të dënimit me burg.
Bëhet fjalë për Aldo Gjetën, 27 vjeç, dhe Emanuel Bushin, 28 vjeç, të cilët u arrestuan më 23 shtator, pasi policia bastisi ambientin ku kultivohej lënda narkotike. Sipas raportimit të mediave britanike, të dy tentuan të largoheshin nga vendi gjatë ndërhyrjes së policisë, por u ndaluan dhe më pas pranuan akuzën për prodhim kanabisi në shkallë tregtare.
Gjatë kontrollit, policia zbuloi disa ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike. Prokurorja Kelly Clarke deklaroi në gjykatë se vlera e mundshme e prodhimit në tregun e shitjes me pakicë arrinte në 302 mijë paund. Aldo Gjeta u dënua me 2 vite e 3 muaj burg, ndërsa Emanuel Bushi me 18 muaj burg.
Dënimi më i rëndë për Gjetën lidhet edhe me faktin se ai kishte një precedent të mëparshëm për të njëjtën vepër penale. Në prill të vitit 2025, ai ishte dënuar me 14 muaj burg për kultivim kanabisi. Gjatë seancës gjyqësore, avokati i Gjetës deklaroi se klienti i tij kishte hyrë ilegalisht në Britani katër vite më parë dhe se ishte përfshirë në aktivitetin kriminal për shkak të borxheve ndaj personave të tjerë.
Ai pretendoi se Gjeta kishte pasur rolin e kopshtarit, duke u kujdesur për ujitjen dhe mirëmbajtjen e bimëve. Edhe avokati i Emanuel Bushit deklaroi se klienti i tij kishte mbërritur ilegalisht në Britani në vitin 2022 dhe se ishte kërcënuar, së bashku me familjen në Shqipëri, nga një organizatë kriminale që e kishte ndihmuar të emigronte dhe së cilës i detyrohej 22 mijë paund.
Sipas mbrojtjes, disa ditë para arrestimit, kjo organizatë e kishte detyruar të punonte në ambientin ku kultivohej kanabisi për të shlyer borxhin. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi Sean Morris, në Gjykatën e Kurorës në York, e cilësoi aktivitetin si prodhim komercial të kanabisit, në kufijtë e një veprimtarie industriale.
Ai shprehu gjithashtu habinë që Gjeta nuk ishte deportuar pas dënimit të mëparshëm në vitin 2025. Në përfundim, gjykatësi iu drejtua të dy shqiptarëve me rekomandimin që, pas lirimit nga burgu i Hull, të merren menjëherë nga autoritetet përkatëse dhe të dërgohen drejt deportimit nga Britania e Madhe.
“Unë vetëm shpresoj që Home Office të mos e përsërisë këtë praktikë,” deklaroi gjykatësi.
gijotina.com/
The post Ferma e kanabisit, 302 mijë paund/ Gjykata angleze dënon dy shqiptarët dhe kërkon dëbimin e tyre appeared first on GIJOTINA.