Policia ka arrestuar tre të rinj shqiptarë nga Saranda në Greqi, pasi sekuestruan 66 kilogramë e 742 gramë kanabis, i cili dyshohet se po transportohej nga Shqipëria drejt Greqisë. Kjo ngjarje është regjistruar në zonën e Igumenicës, ku efektivët e Nëndrejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve, në bashkëpunim me Departamentin e Dytë të Rojës Kufitare të Filatit, ndaluan fillimisht një automjet që drejtohej nga një prej shqiptarëve të arrestuar.
Gjatë kontrollit në automjet u gjetën 60 pako me kanabis, me peshë totale 66 kilogramë e 742 gramë, të cilat u sekuestruan nga policia. Më tej në një tjetër vendndodhje, u ndalua edhe një automjet i dytë, në të cilin udhëtonin dy shqiptarët e tjerë.
Sipas hetimeve, ata dyshohet se kishin rolin e pararojës, duke sinjalizuar drejtuesin e automjetit të ngarkuar me drogë për kontrollet e mundshme të policisë. Gjatë kontrolleve u sekuestruan edhe dy automjetet, 1,130 euro dhe katër celularë. Në kërkime u angazhuan gjithashtu qentë antidrogë, të identifikuar me emrat “IKARUS” dhe “JERRY”.
Tre të arrestuarit, së bashku me dosjen përkatëse, u dërguan në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Thesprotisë. Sipas të dhënave të raportuara nga mediat greke, gjatë 15 muajve të fundit policia ka sekuestruar rreth 1.5 tonë kanabis në zonat e Igumenicës, Janinës, Kosturit, Florinës dhe Selanikut.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre rasteve lidhet me linjën e trafikut nga Saranda drejt Igumenicës, e konsideruar si një prej itinerareve të përdorura për transportimin e lëndëve narkotike.
gijotina.com/
The post Tre shqiptarë arrestohen në Greqi me 66 kg kanabis, dy prej tyre ishin pararojë për lëvizjet e policisë appeared first on GIJOTINA.