Shqipëria pret EURO U-21, Duka: Një moment historik, Europa do t’i ketë sytë nga ne…

Në ceremoninë e hedhjes së shortit të EURO U-21 2027, në Beograd, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku vuri në dukje rëndësinë e këtij kompeticioni për futbollin shqiptar.

Shqipëria dhe Serbia do të jenë bashkëorganizatore të turneut, i cili do të zhvillohet në qershor 2027. Sipas Dukës, ky është një rast i jashtëzakonshëm për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare, pasi vëmendja e futbollit europian do të përqendrohet te dy vendet organizatore.

“Për Shqipërinë është hera e parë që marrim përsipër të organizojmë një kompeticion të niveleve kaq të larta. Në qershor, kur do të luhet ky kampionat, e gjithë vëmendja e opinionit futbollistik europian dhe më tej do të përqendrohet në Shqipëri dhe Serbi, për të ndjekur ekipet dhe talentet e reja të së ardhmes së futbollit europian”, u shpreh Duka.

Kreu i FSHF-së u ndal edhe te rëndësia sportive për përfaqësuesen shqiptare U-21, e cila do të marrë pjesë për herë të parë në një kompeticion të tillë. Ai uroi futbollistët e rinj që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të fituar eksperiencë dhe për t’u përballur me talentet më të mira të Europës.

Duka theksoi gjithashtu se turneu do të ketë ndikim edhe te brezat e rinj, duke i motivuar fëmijët të merren me futboll. Sipas tij, fushat dhe stadiumet e ndërtuara apo të rinovuara për këtë aktivitet do të mbeten një trashëgimi e rëndësishme për të ardhmen.

“Është detyra jonë e të dy federatave që kemi marrë përsipër këtë përgjegjësi për të treguar që vërtet i ka shërbyer vendeve tona. Ta organizojmë sa më mirë këtë Kampionat Europian dhe t’i bëjmë të gjithë të ndihen të mirëpritur në Shqipëri dhe Serbi”, deklaroi presidenti i FSHF-së.

Në përfundim, Duka shprehu besimin se eksperienca organizative e federatës, përfshirë finalen e Conference League në Tiranë dhe Kampionatin Europian U-17 të vitit 2025, do të ndihmojë në realizimin me sukses të këtij turneu.

gijotina.com/

The post Shqipëria pret EURO U-21, Duka: Një moment historik, Europa do t’i ketë sytë nga ne… appeared first on GIJOTINA.