Shërbimi i transportit publik u ndërpre mëngjesin e sotëm nga ora 05:30-08:00, në shenjë proteste kundër propozimit për rritjen e TVSH-së nga 20% në 21%.
Shoqatat e transportit kundërshtojnë këtë ndryshim, pasi sipas tyre do të sjellë rritjen e çmimit të biletave për qytetarët, ndërsa operatorët kërkojnë që TVSH-ja për transportin publik të ulet në 6%, njësoj si për produktet bazë.
Pezullimi i shërbimit shkaktoi vështirësi për qytetarët në orët e para të mëngjesit, ndërsa u krijuan radhë të gjata në stacione, vonesa në mbërritjen e autobusëve dhe trafik i rënduar në disa prej akseve kryesore.
“Rritja e TVSH-së automatikisht shkon në rritjen e çmimit të biletës. Transporti publik nuk është mjet luksi, por mjet i domosdoshëm dhe jetik për qytetarët dhe duhet të përfshihet në shportën e paketës fiskale të produkteve bazë. Të shkojë në 6%, siç janë dhe produktet ushqimore.
Për qytetarët është shumë e domosdoshme që çmimi i biletës të mos ndryshojë dhe të mbetet në këto nivele. Shpresoj që sot të merren në konsideratë kërkesat tona dhe në Parlament të diskutohet ulja e TVSH-së për këtë sektor”, deklaroi një përfaqësues i Shoqatës së Transportit Publik.
The post Protestë kundër rritjes së TVSH-së/ Transporti publik pezullohet për 3 orë, kaos në stacionet e autobusëve appeared first on GIJOTINA.