Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka dhënë sot vendimin për tre të pandehurit në fraksionin e ndarë të dosjes Meta-Kryemadhi, të cilët përfituan nga procedura e gjykimit të shkurtuar.
GJKKO dënoi Fatime Kryemadhin, nënën e Monika Kryemadhit, me 7 vite e 6 muaj burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, gjykata e uli dënimin në 5 vite burg.
Megjithatë, për shkak të moshës së saj, Gjykata e Posaçme vendosi të pezullojë ekzekutimin e dënimit me burg dhe ta vendosë Fatime Kryemadhin në shërbim prove për një periudhë prej dy vitesh.
Ndërkohë, GJKKO dënoi Ema Çokun me 2 vite burg, dënim që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar u ul në 1 vit e 4 muaj. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e saj në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj, si dhe hoqi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Sa i përket Pirro Xhixhos, Gjykata e Posaçme e shpalli të pafajshëm për akuzën e korrupsionit, duke vendosur gjithashtu heqjen e masës së sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
GJKKO rrëzoi edhe kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për konfiskimin e vilës së Fatime Kryemadhit.
The post Dosjea ‘Meta’/ GJKKO dënon me burg nënën e Monika Kryemadhit, Pirro Xhixho shpallet i pafajshëm appeared first on GIJOTINA.