Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dënuar avokatin Idajet Beqiri për shpifje dhe fyerje ndaj gazetarit Ferdinand Dervishi.
Gjykata e ka dënuar Beqirin me 100 mijë lekë të rinj për shpifje dhe 100 mijë lekë të rinj për fyerje.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë gazetari Ferdinand Dervishi përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku shprehet se çështja lidhet me disa deklarata të bëra nga avokati Beqiri në një intervistë për Dritare TV, më 6 maj 2023.
Në atë intervistë, Beqiri e kishte akuzuar gazetarin se ishte i paguar nga politikanë të caktuar, se mbronte krimin dhe kriminelët, si dhe kishte bërë insinuata lidhur me përfshirjen e tij në çështje të ndryshme kriminale.
Në padinë e tij, gazetari i konsideronte këto deklarata të pavërteta dhe denigruese për figurën e tij duke pretenduar se akuzat e bëra publikisht synonin të dëmtonin reputacionin.
Sipas Dervishit, pas procesit gjyqësor që zgjati rreth tre vjet, gjykata ka vendosur dënimin e Beqirit, duke pranuar kërkesën e paraqitur nga gazetari.
The post E paditi gazetari Ferdinand Dervishi, Gjykata dënon për shpifje Idajet Beqirin appeared first on GIJOTINA.