Deputetja Elisa Spiropali ka reaguar sot përmes një deklarate për mediat, pas përjashtimit nga Partia Socialiste. Ajo e cilësoi vendimin si një “dekoratë”, duke theksuar se është gruaja e parë në 35 vjet që përjashtohet nga forumet e partisë për shkak të qëndrimeve të saj.
Spiropali kritikoi gjithashtu sistemin elektoral, duke argumentuar se ai ka penguar qarkullimin e elitave politike dhe ka kufizuar mundësitë për ndryshim.
“Unë jam e para grua në 35 vite që përjashtohem nga PS dhe po e marr si dekoratë këtë. Unë isha dhe kryetarja më e re e zgjedhur nga Kuvendi dhe gruaja e parë e përjashtuar nga një forum partie, mendoj se nuk duhet të habitemi fare. Nuk ka asgjë për t’u habitur këtu, kur ata që duhet të ikin, rrinë. Shqipëria ka hyrë në një fazë delikate të zhvillimit të saj.
Unë kam mbajtur këtë qëndrim për udhëkryqin ku ndodhet Shqipëria, që të ngrihemi nga ky sistem aktual, për t’ju përgjigjur të rinjve dhe dëshirës për më shumë demokraci brenda partive, në Kuvend, institucione, për mënyrën sesi vepron pushteti dhe vendimmarrje. Sistemi elektoral ka prodhuar një moçal politik, një stanjacion të qarkullimit të elitave, nuk pulson më nevoja për ndryshim.
Kur në shumicën e kohës së analizave, kupton se përjashtimi është më i madh se përfshirja atëherë e mbaj si dekoratë, që jam nga të përjashtuarit e sistemit. Padiskutim që kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e karakterit të pushtetit të personalizuar ekstremisht, dhe të një partisë së një njeriu dhe qeverisë së një njeriu, kjo është përtej emrit të Edi Ramës dhe raportit personal, por në themel të problematikës që nxorri në rrugë ato që u quajtën flamingo.
Ishte ajo nevojë e brendshme për të thënë se liria dhe dinjiteti njerëzor e guximi qytetar janë më të fortë se çdo triumfalizëm, se çdo dëshirë për të treguar se ke mandatet. Janë më të forta se mungesa e legjimitetit. Kur kjo fillon mungon, nuk ka shtyllë që e mban në këmbë. Nuk ka rëndësi sa mandate ke, mund t’i kesh të gjitha. E ka treguar historia botërore se pushtetet nuk mbahen nga muret, por besimi dhe respektimi i të drejtave dhe legjitimiteti”, tha Spiropali.
The post U përjashtua nga grupi i PS, Spiropali reagon nga Kuvendi: E marr si dekoratë! Ata që duhet të ikin, rrinë appeared first on GIJOTINA.