U nis nga Saranda për të vrarë anëtarin e mafias greke, zbardhen detajet e hetimit

Policia greke ka arritur të zbardhë vrasjen e një personi të njohur në qarqet mafioze greke, i cili u gjet i vdekur në rrugë në orët e para të datës 11 tetor të këtij viti. Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Niko Gavanozi, i njohur me nofkën “Papagalli”.

Hetuesit grekë kanë identifikuar njërin prej dy personave që ndodheshin në motoçikletën nga e cila u hap zjarr, ndërsa kanë dyshime edhe për identitetin e personit të dytë. Konkretisht, është identifikuar dhe shpallur në kërkim 48-vjeçari nga Saranda, Eduart Qendrothanasi, i njohur edhe me aliasin Stamatis Qendrothanasi. Ndërkohë, edhe personi tjetër dyshohet se është shtetas shqiptar.

Policia ka arrestuar në zonën e Agrinios një 48-vjeçar grek, i cili dyshohet se ka ndihmuar dy autorët pas ngjarjes, duke i transportuar dhe duke u siguruar mundësinë për t’u larguar nga vendi i atentatit.

Qendrothanasi rezulton një person me precedentë të rëndë kriminalë për policinë greke. Ai ishte shpallur më herët në kërkim për një grabitje me armë të ndodhur në vitin 2013 në Mesenia, ku nga një pikë e shërbimit postar “ELTA” u morën 130 mijë euro.

Për këtë ngjarje, ndaj tij është lëshuar një urdhër arresti nga oficeri hetues i Kalamatës, më 18 dhjetor 2023, i cili është mbajtur në fuqi me urdhër të kryetarit të Gjykatës së Apelit të Kalamatës më 17 dhjetor 2024.

Në vitin 2025, Qendrothanasi rezulton të jetë dënuar me 9 vite e 3 muaj burg për tre grabitje dhe armëmbajtje pa leje. E kaluara e tij kriminale përfshin gjithashtu akuza për pjesëmarrje në grup kriminal, grabitje, gjobëvënie, vjedhje, plagosje të rëndë, kërcënime, fyerje dhe falsifikim, si dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe substancat e ndaluara.

Qendrothanasi rezulton të ketë qenë mik i ngushtë i Irakli Davellës, një tjetër shtetas nga Saranda, i ekzekutuar më 15 dhjetor 2024 në Athinë, në një atentat ku mbeti i plagosur edhe 48-vjeçari Etmond Hysa, i njohur me aliasin Edi Lulo.

Sipas mediave greke, Qendrothanasi ka bashkëpunuar më herët edhe me persona të njohur të botës së krimit në Greqi, si Vasilis Grivas, i njohur si “Bill”, dhe Manoli Karagiani, i njohur si “Karafla”, të cilët janë ekzekutuar vitet e fundit në Greqi.

Gjatë marrjes në pyetje, 48-vjeçari grek i arrestuar pranoi se kishte ndihmuar dy autorët, duke i transportuar nga banesa e tij drejt një tjetër banese në Karea. Megjithatë, sipas pretendimeve të tij, ai nuk e dinte se dy personat ishin të përfshirë në një vrasje.

Ai deklaroi se kishte besuar që motoçikleta që i kishin dorëzuar ishte një mjet i vjedhur. Gjithashtu, pretendoi se autorët i kishin lënë dy helmetat e tyre dhe motoçikletën, duke i kërkuar që të merrej me çmontimin e saj.

Nga hetimet rezultoi se ai kishte vijuar me çmontimin e motoçikletës dhe kishte hequr pjesët e saj. Sa i përket njërës prej dy helmetave, ai deklaroi se ia kishte dorëzuar një personi të tretë, identitetin e të cilit pretendoi se nuk ishte në gjendje ta dinte apo ta zbulonte.

Sipas policisë greke, edhe 48-vjeçari i arrestuar ka lidhje me grupet kriminale shqiptare, pasi më herët ishte arrestuar në kuadër të një grupi që trafikonte drogë nga Shqipëria dhe Turqia drejt Greqisë.

Si ndodhi vrasja

Sipas provave të mbledhura nga Njësia e Vrasjeve, dy autorët, të cilët udhëtonin me një motoçikletë, iu afruan 52-vjeçarit teksa ai po drejtonte motoçikletën e tij në drejtim të klubit të natës ku punonte si roje sigurie.

Ata e qëlluan fillimisht me armë zjarri, duke bërë që të humbiste kontrollin dhe të rrëzohej në rrugë. Pasi viktima ra përtokë, autorët e ekzekutuan.

Policia arriti të identifikojë drejtuesin e motoçikletës, 48-vjeçarin Eduart Qendrothanasi. Një rol vendimtar në zbardhjen e vrasjes luajti mbledhja dhe analiza e pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë.

Oficerët e policisë siguruan pamje jo vetëm nga vendi ku ndodhi vrasja, por edhe nga zonat përgjatë itinerareve që ndoqën autorët para dhe pas atentatit.

Nga hetimet rezultoi se pas vrasjes, dy personat u drejtuan për në Keratea, ku parkuan motoçikletën në oborrin e një banese të izoluar, pa numër. Në këtë vend i priste bashkëpunëtori i tyre 48-vjeçar, i arrestuar më vonë nga policia, i cili dyshohet se mori përsipër fazën tjetër të largimit të tyre.

Ai i transportoi dy autorët me një automjet ngjyrë argjendi drejt banesave të punëtorëve në Karea, në mënyrë që ata të largoheshin nga zona pa përdorur motoçikletën që ishte përdorur në vrasje.

Motivi i vrasjes

Një nga pistat kryesore që po shqyrtojnë hetuesit lidhet me konfliktet që viktima dyshohet se kishte krijuar për shkak të përfshirjes së tij në tregtinë e drogës në periferitë jugore gjatë muajve të fundit.

Sipas informacioneve të televizionit publik grek “ERT”, aktiviteti i tij kishte shkaktuar reagime dhe ishte paraprirë nga një sërë kërcënimesh dhe paralajmërimesh.

Në fakt, pas vrasjes, policia gjeti një kuti me fishekë në kutinë postare të banesës së tij, e cila dyshohet se ishte lënë si mesazh paralajmërues.

Kush ishte viktima

Nikos Gavanozi, i njohur me nofkën “Papagalli”, ishte arrestuar më parë për pjesëmarrje në një rrjet kriminal që u ofronte “mbrojtje” klubeve të natës dhe pronarëve të tyre. Në këtë rrjet dyshohet se ishin përfshirë edhe emra të njohur të botës së natës në Greqi, disa prej të cilëve nuk jetojnë më.

Herën e fundit që Gavanozi u vu në pranga ishte në korrik të vitit 2024, për përfshirjen e dyshuar në incidentet e ndodhura jashtë stadiumit “Alexandras”. Përplasjet përfunduan me plagosjen e dy personave nga të shtënat me armë zjarri dhe shtrimin në spital të një personi tjetër, i cili ishte dhunuar.

Bëhej fjalë për një konflikt mes tifozëve të organizuar të “Panathinaikos”, që përfundoi në gjykatat e ish-Shkollës Evelpidon, ku u shoqëruan 74 tifozë.

Në shtator të vitit 2021, armët u përdorën sërish jashtë një shoqate të tifozëve të organizuar të “Panathinaikos”, në zonën e “Alexandras”. Një person mbeti i plagosur nga një plumb në shpinë dhe, disa ditë më vonë, “Papagalli” u arrestua për këtë incident të përgjakshëm.

Gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan dy pistoleta, një shkop metalik, një thikë, një telefon celular dhe një automjet me të cilin ai kishte shkuar në vendin e sulmit.

Një tjetër ngjarje ku emri i tij u përmend ishte ajo e prillit 2018, kur një tifoz i organizuar i “Panathinaikos” u qëllua me armë zjarri pak para fillimit të ndeshjes së Euroligës mes “Panathinaikos” dhe “Real Madrid”. I plagosuri u dërgua në një spital privat, ku u tha mjekëve se kishte ndier një djegie në këmbë. Sipas informacioneve të publikuara në mediat greke, autori i dyshuar i sulmit u identifikua si viktima e atentatit në Glyfada.

Në vitin 2015, Gavanozi u arrestua nga Departamenti i Zhvatjes si pjesë e një prej tre grupeve kriminale që vepronin në Athinë dhe shantazhonin pronarët e bizneseve, me ndihmën e disa punonjësve të policisë. Në atë operacion u arrestuan gjithsej 21 persona.

Sipas akuzës, anëtarët e grupeve kërcënonin bizneset dhe u kërkonin pronarëve shuma të ndryshme parash, me pretendimin se do t’u ofronin “mbrojtje” për aktivitetin e tyre.

gijotina.com/

The post U nis nga Saranda për të vrarë anëtarin e mafias greke, zbardhen detajet e hetimit appeared first on GIJOTINA.