Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti paralajmëroi për rrezikun e daljes së opozitës me disa kandidatë për Tiranën, duke theksuar se përçarja është një objektiv politik i kryeministrit Edi Rama.
Në një intervistë për News24, ai theksoi se Rama ka përdorur mekanizma të ndryshëm për të krijuar përçarje mes forcave opozitare. Ai iu bëri thirrje partive opozitare të tregojnë maturi dhe përgjegjësi, duke u ulur në tryezën e diskutimeve për të gjetur një dakordësi, pavarësisht dallimeve që mund të kenë.
Alimehmeti theksoi se opozita duhet të konkretizojë bashkëpunimin nëse synon realisht të përballet me qeverinë, duke shtuar se rënia në grackën e përçarjes do t’i shërbente vetëm kundërshtarit politik.
“Objektivi i Edi Ramës, ai këtu ka investuar, që opozita të dalë e përçarë, ka përdorur çdo lloj mekanizmi monetar, gjyqësor e ndërkombëtar. Ky është gracka që ha kundërshtari politik. Tani ai që është maturia e forcave opozitare, nëse i ke dalë kësaj të keqeje përballë, duhet të dish edhe çfarë armësh përdor ajo.
Kjo është gropa që përdor Edi Rama se nuk ka më fytyrë të bëjë fushatë me veten e vet, nuk ka më kandidatë të Serisë A, dhe ka lënë ngërç në të gjitha format për kaq shumë vite dhe i vetmi investim që ka është të hapë këtë gropë. Pse duhet që të binë forcat opozitare në këtë gropë?
Këtu duhet maturia dhe ndërgjegjja, se nëse këto forca duan këtë luftë ndaj tij, duhet të ulen. Mund të mos gjetën dakordësi por pa diskutuar së bashku, nga e dinë se nuk bien dakord. Nëse kanë me të vërtetë këtë luftë që kanë nisur, duhet konkretizuar.”, tha ai.
The post Alimehmeti: Rama synon përçarjen e opozitës në Tiranë, partitë të dalin me një kandidat të përbashkët! appeared first on GIJOTINA.